Programi Kombëtar i Statistikave Zyrtare 2022-2026, në kuadër të statistikave sociale dhe demografike, përcakton domosdoshmërinë e raportimit të treguesve cilësor me fokus fëmijët (0-17 vjeç), adoleshentët (10-19 vjeç) dhe të rinjtë (15-29 vjeç).

Paneli/dashboard-i është ndërtuar për të sjellë pranë përdoruesve në kohë reale të dhënat për këta tregues. Ai shërben si një ‘bankë’ ku strehohen të dhënat statistikore dhe informacione të tjera lidhur me treguesit. Për më tepër, paneli lehtëson analizimin e të dhënave, duke pasqyruar vlerat ndër vite, nëpërmjet tabelave dhe grafikëve.

Paneli u ndërtua në përmbushje të detyrimit për transparencë institucionale, nxitjes së përdorimit të të dhënave për monitorimin e situatës së fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në vend.

Ndërtimi i panelit u mundësua përmes mbështetjes teknike të UNICEF në Shqipëri, dhe kontributit financiar të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të programit Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria.