Aplikime për Programin Master Shkencor në Statistika Zyrtare
Nevoja për të siguruar që sistemet statistikore kombëtare të jenë në gjendje të prodhojnë të dhëna të përshtatshme, të besueshme, që i përmbahen standardeve të caktuara profesionale dhe shkencore është thelbësore. Prodhimi i statistikave asnjëanëse, transparente dhe të azhornuara, ndihmojnë në gjykimin përdoruesve mbi proceset e zhvillimit e transformimit në fushat ekonomiko-sociale brenda vendit dhe janë burim krahasimi me vendet e tjera. Në këto kushte, nevoja që sistemi universitar publik të ofrojë në mënyrë sistematike një kurs masteri shkencor në e fushën e Statistikave Zyrtare është bërë kritike.
Masteri Shkencor në Statistikat Zyrtare ofrohet nga bashkëpunimi i Institutit të Statistikave në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe përbën një eksperiencë unike për të marrë edukim në fushën e statistikave zyrtare për profesionistë (dhe jo vetëm).
Për hapjen e këtij programi studimi, INSTAT dhe Fakulteti i Ekonomisë, Universitetit të Tiranës janë mbështetur tek përvojat më të mira të disa universiteteve të huaja të cilat ofrojnë programe të ngjashme studimi.
Ky propozim lindi si ide nga bashkëpunimi me EUROSTAT, në kuadër të përfshirjes në projektin EMOS (European Master in Official Statistics) i cili ofron programe studimi nga universitete të vendeve të tjera, të cilat ofrojnë Master studimi në Statistikat Zyrtare, si dhe INSTAT, i cila është një nga punëdhënësit kryesorë për studentët e Fakultetit të Ekonomisë, UT.
Pyetje të shpeshta
1. Sa është pagesa e shkollimit?
Tarifa e shkollimit për ciklin e dytë të studimit “Master Shkencor” Kohë e plotë është 200.000 lekë të reja (sipas tarifave standarte të degëve të UT.) për të dy vitet akademike, kjo pagesë mund të kryhet edhe me këste.
2. Kush mund të aplikojë?
Ky program masteri ofrohet për të gjithë personat që kanë përfunduar Bachelor në Informatikë Ekonomike, Ekonomiks, Manaxhim Biznesi, Financë, Diploma të fakultetit të Shkencave të Natyrës. Diplomë e sistemit të vjetër (4-vjeçar) në Informatikë Ekonomike, Ekonomiks, Manaxhim Biznesi, Financë, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.
3. Aktualisht jam në punë, a mund ta ndjek masterin pa shkëputje nga puna?
Në përcaktimin e orarit të masterit do të merret në konsideratë fakti që studentët mund të jenë në marrëdhënie pune.
Për t’u informuar për tarifat, afatin e aplikimit, dokumentacionin që duhet dorëzuar dhe detaje të tjera, ju ftojmë t'i drejtoheni Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.