Tryeza e Diskutimit Statistikat
Shprehje interesi “Tryeza e Diskutimit Statistikat”
Instituti i Statistikave, INSTAT është institucioni i cili mbulon fushën e Statistikave Zyrtare.
Kapitulli 18 “Statistikat”, është pjesë e kapitujve themelorë të grupit të parë (cluster) të cilat sipas metodologjisë së re të Komisionit Evropian, do të shqyrtohen të parët.
Në kuadrin e veprimtarive për integrimin evropian, INSTAT është institucioni përgjegjës për përputhshmërinë e akteve komunitare të parashikuara në Kapitullin 18 “Statistikat”, në bashkëpunim me agjensitë statistikore Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.
Aktet komunitare (acquis communitare) në fushën e statistikave përbëhen nga legjislacioni i cili është direkt i zbatueshëm në Shtetet Anëtare të KE, siç janë Rregulloret e Parlamentit Evropian, Rregulloret e Këshillit Evropian, Vendimet e tyre dhe Rregulloret e Komisionit Evropian. Aktet komunitare mbi statistikat përmbajnë gjithashtu një gamë të gjerë të udhëzuesve metodologjikë në fusha të ndryshme statistikore si politikat ekonomike dhe monetare, statistikat demografike dhe sociale, statistikat sektoriale si Bujqësia, Energjia, Transporti, Turizmi, etj, si dhe inovacioni apo teknologjia e informacionit. Standardet ndërkombëtare si parimet themelore të statistikave dhe kodi i praktikave të statistikave evropiane ofrojnë parimet bazë mbi të cilat duhet të mbështetet prodhimi dhe përhapja e statistikave zyrtare.
Mbështetur në VKM nr. 749, datë 19.12.2018 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse, për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian” si dhe në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit të RSH, nr.113, datë 30.08.2019 “Për format e pjesmarrjes, funksionimin dhe strukturën institucionale të platformës së partneritetit për integrimin evropian”, ftohet të marrin pjesë lirisht përfaqësuesit e organizatave të shoqërise civile, të pushtetit vendor, të komunitetit të biznesit, të shoqatave të punëmarrësve, të botës akademike, të mediave dhe grupeve të interesit, duke shprehur interesin e tyre për tu bërë anëtarë të “Tryezës së Diskutimit Statistikat” për kapitullin 18-të “Statistikat”.
Do të vlerësonim shprehjen e interesit Tuaj brenda datës 22 Gusht, 2022 duke dërguar nje letër interesi dhe CV-në tuaj ku tregoni ekspertizën apo interesin tuaj për të qënë pjesë e tryezës për kapitulli 18 “Statistikat” në adresën vsimoni@instat.gov.al.
INSTAT do të shqyrtojë aplikimet e dorëzuara ku më pas do të bëjë dhe njoftimet përkatëse individualisht. Bashkëngjitur ftesës ndodhen baza përkatëse ligjore ku vepron Instituti i Statistikave, të cilën mund ta gjeni edhe në këtë link http://instat.gov.al/al/rreth-nesh/legjislacioni/ Ndërkohë, për më tepër informacion në lidhje me veprimtarinë e INSTAT, lutemi të konsultoheni me faqen zyrtare të Institutit të Statistikave http://instat.gov.al/al/rreth-nesh/ne-jemi-instat/.