Negociatat e Anëtarësimit

Negociatat e Anëtarësimit

Anëtarësimi në BE kërkon përmbushjen e “Kritereve të Kopenhagës” të cilat kërkojnë nga vendi kandidat:

  • Të sigurojë institucione për të garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin e mbrojtjen e minoriteteve (Kriteri Politik);
  • Të sigurojë ekonomi tregu funksionale e të aftë për të përballuar konkurrencën në tregun e BE-së (Kriteri Ekonomik);
  • Të ketë kapacitete administrative dhe institucionale të afta për të zbatuar legjislacionin e BE-së (acquis) dhe të jetë në gjendje të marrë përsipër detyrimet që burojnë nga anëtarësimi.

Kriter tjetër për anëtarësim përbën dhe aftësia e BE-së për të përthithur anëtarë të rinj. Komisioni Evropian monitoron rregullisht përmbushjen e këtyre kritereve, ndërsa procesi i anëtarësimit kalon nëpër disa etapa kyçe deri sa vendi kandidat të konsiderohet plotësisht në gjendje për t’u bërë pjesë e Bashkimit.

Negociatat e anëtarësimit qëndrojnë në themel të këtij procesi. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.

Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vendit.

Negociatat zhvillohen në konferenca ndërqeveritare mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe atyre të vendit kandidat. Vendi kandidat nuk negocion mbi legjislacionin e BE-së në vetvete (mbi acquis dhe standardet e Bashkimit) por mbi modalitetet e përafrimit dhe zbatimit efektiv të tij.

Negociatat kalojnë nëpër tre etapa kryesore:

  • Në shqyrtimin analitik të legjislacionit (Screening);
  • Në hapjen dhe zhvillimin e tyre për çdo kapitull të acquis;
  • Në mbylljen e negociatave për çdo kapitull dhe nënshkrimin e Traktatit të Aderimit.

Zhvillimi i negociatave të anëtarësimit është një sipërmarrje që kërkon angazhimin maksimal të të gjithë institucioneve shtetërore në vend, përfshirjen e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit, akademisë si dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve.