Kapitujt
Negociatat e anëtarësimit përfshijnë marrjen përsipër nga vëndi kandidat për përafrimin e plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për
anëtarësim. Përmbushja e kritereve të anëtarësimit çon në zhvillimin gjithpërfshirës politik, social dhe ekonomik të vëndit. Negociatat zhvillohen në konferenca ndërqeveritare mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vëndeve anëtare të BE-së dhe atyre të vëndit kandidat. Vëndi kandidat nuk negocion mbi legjislacionin e BE-së në vetvete (mbi acquis dhe standardet e Bashkimit) por mbi modalitetet e përafrimit dhe zbatimit efektiv të tij. Kapitujt e antarësimit janë të gjithë fushat ku duhet të përafrohet legjislacioni me BE-në.
Në qershor të vitit 2018 Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria për reformat e ndërmarra dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli autorizoi Komisionin për fillimin e punës përgatitore për procesin screening. Menjëherë pas këtij vendimi Komisioni nisi kalendarin për zhvillimin e takimeve shpjeguese (explanatory screening meetings) për 33 kapituj të acquis. Kapitujt 34 (Institucionet) dhe 35 (Çështje të Tjera) negociohen sipas rastit në fund të procesit negociues. Ata nuk janë relevant për Shqipërinë aktualisht.
Instituti i Statistikave INSTAT është drejtues i Kapitullit 18 “Statistikat” dhe acquis në fushën e statistikave përbëhet pothuajse ekskluzivisht nga legjislacioni i cili është direkt i zbatueshëm në Shtetet Anëtare siç janë Rregulloret e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit dhe Vendimet dhe Rregulloret e Komisionit. Rregullat e BE-së kërkojnë që Shtetet Anëtare të jenë në gjendje të krijojnë statistika bazuar në pavarësinë profesionale, paanshmërinë, besueshmërinë, transparencën dhe konfidencialitetin. Për metodologjinë, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor parashikohen rregulla të zakonshme. Acquis statistikore përmban gjithashtu një gamë të gjerë të manualeve metodologjike në fusha të ndryshme statistikore si bujqësia, politikat ekonomike dhe monetare, statistikat demografike dhe sociale dhe kërkimet. Marrëveshjet ndërkombëtare ose standardet ndërkombëtare si kodi i praktikës në statistika ofrojnë një bazë tjetër për prodhimin statistikor.