Historiku
Marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Evropian, bazuar në objektivin kombëtar të integrimit në BE, janë strategjike dhe prioritare të politikës sonë të jashtme. Interesi parësor i Shqipërisë në raport me BE-në është anëtarësimi në BE në të ardhmen.
- Në vitin 1991 Shqipëria vendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian;
- Në vitin 2000 Shqipëria u njoh zyrtarisht nga Bashkimi Evropian si një vend kandidat potencial;
- Në vitin 2003 Samiti i Selanikut i krerëve të vendeve të BE-së, miratoi procesin e Stabilizim-Asociimit, duke konfirmuar kështu perspektivën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Në po të njëjtin vit nisën negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA) BE-Shqipëri;
- Më 12 qershor 2006 u përmbyll procesi i negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, e cila u nënshkrua në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (GAC), në Luksemburg;
- Më 1 prill 2009 MSA-ja hyri në fuqi. Në po të njëjtin muaj, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në BE;
- Në nëntor 2009, bazuar në pyetësorin që Komisioni Evropian i dorëzoi Shqipërisë në lidhje me përgatitjen e vendit për anëtarësim, filluan dhe negociatat për marrjen e statusit të vendit kandidat;
- Më 27 qershor 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat.
Këshilli përcaktoi pesë përparësi kryesore (administrata publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat themelore) që Shqipëria duhej të përmbushte përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit;
- Më 9 nëntor 2016, bazuar në arritjet në këto përparësi kyçe, Komisioni i propozoi për herë të parë Këshillit fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të një progresi konkret në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçati të “vettingut” të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
- Më 17 prill 2018, në Paketën e tij vjetore të Zgjerimit, Komisioni Evropian rekomandoi që Këshilli të vendosë që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë nën dritën e përparimit të shënuar, ruajtjes dhe thellimit të reformave nga Shqipëria.;
- Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së pranoi t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019;
- Më 29 maj 2019 Komisioni Evropian prezantoi Paketën vjetore të Zgjerimit, duke rekomanduar sërish hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë;
- Më 18 qershor 2018 Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme riafirmoi konkluzionet e tij të 26 qershorit 2018, njohu rekomandimin pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave dhe vendosi të marrë një vendim të qartë dhe substancial për këtë jo më vonë se në tetor 2019;
- Më 18 tetor 2019 Këshilli Evropian mori në shqyrtim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli vendosi t’i rikthehej kësaj çështjeje përpara majit 2020.
- Më 25 mars 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë, duke marrë parasysh progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara në unanimitet nga Keshilli i qershorit 2018.
Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Regjimi pa viza
Më 9 nëntor 2006 Komisioni Evropian vendosi të fillojë negociatat për lehtësimin e vizave me Shqipërinë.
Marrëveshja për lehtësimin e vizave u nënshkrua nga palët në 13 Prill 2007, në Zagreb. Ajo hapi rrugën që të arrihej heqja e plotë e vizave dhe lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë drejt vendeve të BE-së.
Pas hyrjes së marrëveshjes në fuqi, më 1 Janar 2008, më 7 Mars 2008, në Tiranë, filluan negociatat midis Komisionit Evropian dhe Qeverisë shqiptare për të arritur konsensusin për liberalizimin e vizave midis palëve.
Në përfundim të bisedimeve, në maj 2010, Komisioni propozoi t’ju mundësohej shtetasve të Shqipërisë udhëtimi drejt vendeve të Shengenit pa pasur nevojë për vizë afatshkurtër.
Më 8 nëntor 2010, Këshilli miratoi propozimin e Komisionit dhe regjimi pa viza hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010.
Komisioni Evropian është i autorizuar dhe i detyruar të vlerësojë çdo vit zbatimin e marrëveshjes. Në raportin e tij të fundit në dhjetor 2018, Komisioni Evropian deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet, duke propozuar ruajtjen e këtij regjimi me Shqipërinë.