Pyetje të shpeshta
Pse janë të rëndësishme llogaritë kombëtare? |
Llogaritë Kombëtare janë mjeti kryesor për matjen e situatës së përgjithshme ekonomike të një shteti. Vlerësimi i llogarive kombëtare mbështetet në metodologjinë e Sistemit Evropian të Llogarive (ESA 95, ESA 2010). Ato përdoren nga operatorë ekonomikë, socialë dhe politikë të cilët gjejnë në to informacion të rëndësishëm për vendimet e tyre; për më tepër, ato janë një referencë për median, ndërmarrjet dhe akademikët. |
Çfarë është Sistemi Evropian i Llogarive ESA? |
Sistemi evropian i llogarive kombëtare dhe rajonale është korniza për matjen e aktiviteteve ekonomike dhe financiare të një sistemi ekonomik, komponentëve të tij dhe lidhjeve midis tyre në një periudhë kohe të dhënë (zakonisht një vit ose një tre-mujor). Transaksionet e kryera nga agjentët ekonomike në marrëdhëniet e tyre me njësitë e tjera rezidente ose jo rezidente në territorin ekonomik janë objekt i matjeve. |
Çfarë është PBB dhe si matet? |
Produkti i brendshëm Bruto (PBB) është një ndër indikatorët e llogarive kombëtare. Ai përfaqëson vlerën totale në para të të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuara gjatë një periudhe specifike nga njësitë prodhuese rezidente. Matja e PBB-së është një proces i komplikuar, por në thelb vlerësimi i tij mund të bëhet me tre metoda: 1. Metoda e Prodhimit PBB është shuma e vlerave të shtuara bruto sipas degëve të ndryshme të ekonomisë duke shtuar taksat e tatimet dhe duke zbritur subvencionet mbi produktet. 2. Metoda e Shpenzimit Sipas kësaj metode PBB është shuma e përdorimeve finale të mallrave dhe shërbimeve nga njësitë rezidente institucionale (konsumi aktual final, formimi i kapitalit bruto dhe ndryshimi i gjendjeve të inventarëve), plus eksportet, minus importet e mallrave dhe shërbimeve. 3. Metoda e të Ardhurave PBB është shuma e përdorimeve në llogarinë e gjenerimit të të ardhurave në ekonomi në tërësi (kompensimi i punonjësve, taksat për prodhimin dhe importet pa përfshirë ndihmat, surplusi operativ bruto dhe të ardhurat mikse të ekonomisë në tërësi). |
Cilat janë burimet e të dhënave të PBB-së vjetore? |
Për vlerësimet e PBB-së përdoret informacioni i siguruar nga burime të ndryshme statistikore dhe administrative. Të dhënat e përdorura mund të jenë prodhim statistikor i vetë INSTAT (anketa të ndryshme) ose i institucioneve të tjerë kombëtar si Ministritë, Drejtoritë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave, Qendra Kombëtare e Biznesit, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare dhe të tjera. |
Çfarë është llogaritja e PBB-së me çmime korrente? |
Të gjitha transaksionet ekonomike janë rezultat i llogaritjes së sasive të ndryshme të produkteve dhe çmimeve të prodhimit dhe shitjes. Duke mbledhur të gjitha transaksionet e caktuara merret vlera e përgjithshme për një periudhë të caktuar. Kur vlerat e dy periudhave të krahasohen, ato njëkohësisht do të reflektohen si në çmim ashtu dhe në sasi. Këto vlera shprehen me çmimet korrente. |
Çfarë është llogaritja e PBB-së me çmime konstante? |
Me kalimin e kohës niveli i përgjithshëm i çmimeve ndryshon (rritet ose ulet), çka çon në ndryshimin (rritjen ose uljen) e vlerave aktuale, edhe në qoftë se volumi i mallrave dhe shërbimeve ka mbetur i pandryshuar. Për të shmangur ndikimin e çmimeve vlerësimet realizohen me çmime konstante. Çmimet konstante janë përftuar nga kombinimi i sasive të produkteve të cilat janë të prodhuara ose të shitura në një periudhë më të gjatë, me çmime nga një periudhë e caktuar bazë. Në këtë mënyrë merret një seri me të dhëna të krahasueshme, sepse të gjitha vlerat janë shprehur në çmimet e një viti. |
Çfarë është rritja ekonomike? |
Rritja ekonomike ndodh atëherë kur vlera e tregut të produkteve dhe shërbimeve në një ekonomi rritet në një periudhë krahasuar me një periudhë tjetër. Zakonisht, rritja ekonomike matet duke ekzaminuar PBB e një ekonomie. Megjithatë, për shkak të inflacionit, ekonomistët dhe analistët shpesh preferojnë të matin rritjen ekonomike nëpërmjet ndryshimit vjetor të PBB reale dhe ndryshimit në përqindje të PBB për frymë. Rritja e PBB reale tregon se sa shpejt po zgjerohet ekonomia, ndërsa PBB për Frymë tregon se sa është aftësia e popullsisë të blejë të mira dhe shërbime në atë vend. Efekti i inflacionit eliminohet në llogaritjen e rritjes ekonomike duke matur kështu sasinë e produkteve dhe shërbimeve të prodhuara në ekonomi gjatë periudhës së dhënë. |
Cili është ndryshimi midis rritjes së PBB në terma nominalë dhe rritjes në terma reale? |
PBB nominal mat vlerën e produkteve për një periudhë të caktuar kohore, me çmimet e periudhës në të cilin prodhohet produkti (çmimet e tanishme). PBB reale mat produktin total të prodhuar në një ekonomi, për një periudhë të caktuar kohore, por duke marrë parasysh çmimet e një viti bazë të dhënë i cili mund të jetë viti paraprak ose cili një vit i caktuar si vit bazë. Shembull: Supozojmë se në vitin 2011, ekonomia e një vendi prodhon 100 milion lek të mira dhe shërbime të vlerësuara me çmimet e vitit 2011. Në vitin 2012 ekonomia prodhon 110 milion lek të mira dhe shërbime të vlerësuara me çmimet e vitit 2012. Të njëjtat të mira dhe shërbime janë vlerësuar në 105 milion lek me çmimet e vitit 2011. Atëherë llogaritjet e rritjeve janë: Viti 2011 PBB nominale=100 mln lek Viti 2012 PBB nominale=110 mln lek, PBB reale=105 mln lek Rritja e PBB nominale= PBB nominale, viti 2012/ PBB nominale,viti 2011=110/100=10% Rritja e PBB reale= PBB reale, viti 2012/ PBB nominale,viti 2011=105/100=5%
|
Cila është diferenca midis “rritjes reale të PBB” dhe “rritjes në volum të PBB”? |
Për PBB të dyja termat nënkuptojnë të njëjtën gjë, që është ajo pjesë e ndryshimit në PBB-në nominale që nuk shkaktohet nga rritja e çmimeve, por nga rritja në sasi ose cilësi e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara. “Rritja në volum” është një term zakonisht i rezervuar për agregatë të lidhur me volumin e prodhimit, për të cilën sasia dhe cilësia fizike mund të maten dhe observohen në mënyrë direkte, së paku në parim, dhe që konsiston zakonisht në vlerën e PBB-së së matur duke shumëzuar sasinë e prodhuar në vitin korent me çmimet e vitit bazë. “Rritja reale” është një term më i gjërë, gjithashtu i përdorur për agregatë të lidhur me të ardhurat, të cilët nuk lidhen direkt me një volum të vëzhgueshëm. Kjo metodë e dytë, e njohur gjerësisht me termin “deflatim”, konsiston në pjesëtimin e vlerave të vrojtuara të PBB-së me indekset e çmimeve të vitit bazë. Indekset e çmimeve ndërtohen duke vlerësuar çmimet e vitit korent të kontribuesve kryesorë në ekonomi, me çmimet e tyre në vitin bazë. |
Fazat e publikimit të PBB vjetore? |
Vlerësimi i PBB vjetore kalon në disa faza nga vlerësimi paraprak deri në shifrën përfundimtare vjetore të PBB për një vit të caktuar. Qëllimi kryesor i këtij procesi është përmirësimi dhe plotësimi i burimeve të të dhënave në mënyrë që llogaritjet e PBB të jenë sa më gjithëpërfshirëse. Faza e parë është llogaritja paraprake vjetore e PBB të vitit (t) sipas të dyja metodave brenda njëmbëdhjetë muajve pas përfundimit të vitit (t+11) dhe bazohet në burime të të dhënave paraprake të Anketës Vjetore Strukturore pranë Ndërmarrjeve dhe burime administrative. Faza e dytë përfshin vlerësimet gjysëm-finale të llogarive vjetore të PBB të vitit (t) brenda gjashtë muajve pas vlerësimit paraprak (t+17). Llogaritjet gjysëm-finale bazohen në burime të dhënash më të plota dhe si rrjedhojë pothuajse tërësisht në metoda të drejtpërdrejta. Faza e tretë përfshin vlerësimet finale të PBB të vitit (t). Në këtë fazë të tretë rishikohen dhe njëherë të dhënat e vitit (t) kur vjen seti i të dhënave për vitin t+1 me qëllim që të përfshihet çdo ndryshim i bërë për vitin (t) dhe të sigurohet konsistenca midis dy viteve të njëpasnjëshëm. Gjatë kësaj faze bëhet dhe balancimi final në nivel produkti midis dy metodave të PBB-së. |
Pse ndodh që indikatorët ekonomik të të njëjtit vit mund të ndryshojnë në kohë? |
Është e rëndësishme që INSTAT t’i ofrojë produktet e tij në kohë dhe të jetë i besueshëm për të gjithë përdoruesit. Për të arritur këtë objektiv, është e nevojshme që ai të japë të dhënat që disponon brenda një periudhë të shkurtër kohe, veçanërisht t’ua sigurojë ato përdoruesve brenda një date të përcaktuar. Të dhënat në dispozicion sa vijnë dhe shtohen, madje edhe pas daljes së indikatorëve kryesorë të Ekonomisë të nxjerrë nga INSTAT. Këto të dhëna shtesë përmirësojnë Treguesit e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe komponentët e tij duke bërë që ato të rishikohen vazhdimisht. |
Çfarë nënkupton Revizionimi dhe pse ndodh? |
Rishikimi i të dhënave të publikuara quhet “Revizionim” dhe është një urë e rëndësishme lidhëse midis afateve kohore dhe saktësisë së të dhënave. Revizionimet pasqyrojnë si disponueshmërinë e informacionit të ri, ashtu edhe përpjekjet për përmirësimin e metodologjive. Rishikimi i serive kohore vjetore është rezultat i tri arsyeve kryesore: 1. Përfshirja e burimeve të reja të të dhënave statistikore dhe administrative, si dhe përmirësimi i atyre ekzistuese; 2. Përmirësimi i teknikave statistikore dhe metodave të përpilimit të të dhënave për Llogaritë Kombëtare; 3. Ndryshimi i metodologjisë për shkak të përditësimeve në koncepte, metoda dhe klasifikime ndërkombëtare. |
Pse ndryshon ESA? |
Gjatë viteve të fundit ekonomitë e vendeve kanë pësuar ndryshime thelbësore në mënyrën sesi ato operojnë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndryshime të tilla mund të jenë: rritja e rolit të teknologjisë në procesin e prodhimit, zhvillimet e aseteve të patrupëzuara, produktet e të drejtave intelektuale e të pronësisë, shërbimet ndërmjet ekonomive dhe globalizimi. Duke qenë se përditësimi i fundit i rregullave të regjistrimit të llogarive ka qenë para 20 vjetësh, është e rëndësishme të përditësohet korniza e llogarive kombëtare për të reflektuar të gjithë ndryshimet e ndodhura. |
A janë ndryshimet e ESA 2010 të njëjta për të gjithë vendet? |
Ndryshimet metodologjike të ESA 2010 duhet të aplikohet nga të gjitha vendet e Evropës pasi të gjithë duhet të ndjekin të njëjtën rregullore të regjistrimit të llogarive kombëtare. Që nga Shtatori 2014 të dhënat e llogarive kombëtare mbështeten mbi konceptet dhe parimet e ESA 2010. Përditësimi i llogarive kombëtare nuk është proces vetëm i vendeve evropiane por i gjithë botës në përgjithësi. ESA 2010 aplikohet në Evropë ndërkohë që për pjesën tjetër të botës aplikohet Sistemi i llogarive kombëtare 2008 (2008 System of National Accounts, SNA 2008) e cila është përditësim i SNA 1993 dhe ka implementimi ka filluar tashmë në shumë shtete si SHBA, Australi, Kanada dhe Zelandën e Re.
|
A është PBB një tregues i mirëqënies? |
Kuadri i llogarive kombëtare përcakton një “kufi prodhimi” për të vendosur se cilat aktivitete duhet të regjistrohen në llogari dhe cilat jo. Natyrisht ky kufi prodhimi nuk mund t’ju shërbejë të gjitha qëllimeve analitike në mënyrë të barabartë. Për shembull, prodhimi i disa shërbimeve brenda familjeve për llogari të vet është i përjashtuar, ndërkohë që të njëjtat shërbime do të përfshiheshin nëse ato do të ishin prodhuar nga një ofrues shërbimesh jashtë familjes. Përtej pyetjes se cilat aktivitete do të përfshihen si prodhim në llogaritë kombëtare, caktimi i vlerave monetare aktiviteteve që përfshihen, jo domosdoshmërisht do të përkojnë me “dobishmërinë” aktuale të derivuar nga konsumimi i tyre. Si rrjedhim, PBB nuk është një matës i plotë që integron të gjitha aspektet që ndikojnë në mirëqenien e një shoqërie dhe nuk ka patur kurrë qëllim të jetë. PBB është një tregues i prodhimit ekonomik i cili rezulton në të mira dhe shërbime që potencialisht kontribuojnë në mirëqënien. |
Si mund të gjendet informacioni për PBB në Shqipëri? |
Të dhënat mbi PBB në Shqipëri gjenden në faqen e web-it të INSTAT ku janë paraqitur tabelat me të dhënat dhe publikime të ndryshme mbi këtë tregues. Për të aksesuar të dhënat mjafton të ndiqen hapat e mëposhtëm: Hapni faqen e web-it të INSTAT: http://www.instat.gov.al/al/temat/ekonomi-dhe-financë/llogaritë-kombëtare-gdp/ Gjithashtu për të dhëna në seri të gjata kohore mund të gjeni dhe në databazën statistikore sipas hapave të mëposhtëm: Hapni faqen e web-it të INSTAT: http://databaza.instat.gov.al/pxweb/sq/DST/InstatMenuFiguresUrl |
Çfarë është outputi (prodhimi)? |
Aktivitet i ushtruar nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një njësie institucionale që kombinon burimet në fuqi punëtore, kapital dhe produkte e shërbime për të prodhuar produkte ose kryer shërbime. Proceset e pastra natyrore pa ndërhyrjen ose kontrollin e njeriut nuk bëjnë pjesë në prodhim. |
Çfarë është konsumi ndërmjetës? |
Vlera e produkteve ose shërbimeve të transformuara ose plotësisht të konsumuara gjatë procesit të prodhimit. Përdorimi i aktiveve fikse të vëna në punë nuk merret parasysh; ai evidentohet në konsumin e kapitalit fiks. |
Çfarë është FISIM? |
Disa institucione ndërmjetësuese financiare (kryesisht bankat) ofrojnë shërbime për të cilat ato nuk tarifojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë klientët e tyre. Një shembull për këto shërbime janë pikërisht kreditë dhe depozitat për të cilat institucionet financiare ofrojnë norma interesi për periudha të caktuara dhe në valuta të ndryshme. Vlera e këtyrë shërbimeve ndërmjetësuese financiare matet në mënyrë indirekte mbi kreditë dhe depozitat dhe quhet FISIM. Vlerësimi i FISIM për secilin sektor llogaritet si diferencë midis normës së interesit të marrë nga depozitat dhe të paguar për kreditë me normën e brendshme referencë të interesit, shumëzuar me stokun përkatës të depozitave dhe kredive. |
Çfarë është renta e imputuar? |
Qiraja e imputuar është qeraja që konsiderohet të paguhet nga zotëruesit e banesave nëse supozohet se ata do të jetonin në një banesë me qera. Në Llogaritë Kombëtare, outputi i shërbimit të banesave përfshin jo vetëm shërbimet e prodhuara nga banesat e dhëna aktualisht me qera por, edhe nga shërbimet e siguruara nga zotëruesit e banesave. Pa këtë imputim, ndryshimi midis banesave të dhëna me qera dhe atyre që zotërohen do të kishte impakt në GDP. Përveç të tjerave, kjo lidhet edhe me krahasimet ndërkombëtare të GDP-së, të cilat përndryshe do të komplikoheshin nga nivele të ndryshme të zotërimit të banesave mes vendeve. |
Çfarë është një njësi institucionale? |
Njësia institucionale është një qendër elementare ekonomike vendimmarrëse e karakterizuar nga pavarësia në sjellje dhe vendimmarrje në ushtrimin e funksionit të saj kryesor. Një njësi rezidente trajtohet si një njësi institucionale në qoftë se ka pavarësi në vendimmarrje në lidhje me funksionin e saj kryesor dhe/ose mban një bashkësi të plotë llogarish ose do të ishte e mundur dhe me kuptim, si nga ana ekonomike ashtu dhe ligjore, të përpilojë një bashkësi të plotë llogarish po t’i kërkohet.
|
Çfarë janë sektorët institucionalë? |
Protagonistët e ndryshëm të jetës ekonomike janë grupuar në grupe të cilat konsiderohen të jenë të rëndësishme. Njësitë institucionale përbëjnë njësitë bazë të llogarive kombëtare. Sektorët institucionalë përfshijnë njësitë institucionale me forma të ngjashme të sjelljes ekonomike të karakterizuara nga funksioni i tyre kryesor dhe nga natyra e veprimtarisë së tyre. Ka pesë sektorë institucionalë: 1. Sektori i ndërmarrjeve jo-financiare (S. 11), 2. Sektori i ndërmarrjeve financiare (S. 12), 3. Sektori i administratës qendrore (S. 13), 4. Sektori i Familjeve (S. 14), 5. Sektori i institucioneve jo-fitimprurëse që i shërbejnë familjeve (NPISH) (S.15), Të gjitha njësitë jo-rezidenciale, për aq kohë sa ata mbajnë marrëdhënie ekonomike me njësitë rezidenciale, grupohen në sektorin Pjesa tjetër e Botës (Rest of the World) (S.2). |
Ku mund t’i gjejmë klasifikimet ekonomike dhe tabelat korresponduese të tyre? |
Klasifikimet ndërkombëtare dhe kombëtare (NACE, COICOP, COFOG, ISIC, PRODCOM, CPA, CPC etj.) dhe tabelat korresponduese për klasifikimet e ndryshme janë vënë në dispozicion të përdoruesit në faqet e mëposhtme të internetit: Faqja e Bashkimit Evropian: RAMON (EUROSTAT klasifikime), Faqja e Kombeve të Bashkuara: UN Classification Registry. |
Çfarë është mospërputhja statistikore? |
Llogaritë kombëtare janë hartuar nga një shumëllojshmëri e madhe burimesh me shkallë të ndryshme të mbulimit dhe besueshmërisë. Prandaj nuk është e pazakontë të përftojmë vlera të ndryshme numerike kur llogarisim të njëjtin variabël por në mënyrë të pavarur me metoda të ndryshme vlerësimi. Në këto raste gjithmonë drejtoria e llogarive kombëtare vlerëson besueshmërinë dhe cilësinë e këtyre të dhënave. Në një proces të mëtejshëm të përputhshmërisë arrihet në një shifër për variablin që merret në konsideratë. Nëse diferenca në vlerat origjinale nuk mund ti atribuohet llogarive, ajo shfaqet si mospërputhje statistikore. Nëse është apo jo një mospërputhje statistikore varet nga rrethanat e veçanta të sistemit të llogarive kombëtare dhe burimet e të dhënave të çdo vendi. |
Cili koncept përdoret në Shqipëri për të llogaritur shpenzimet e konsumit final të familjeve? A përfshijnë shpenzimet e konsumit final të familjeve në Shqipëri shpenzimet që kryhen jashtë vendit? |
Shpenzimet e konsumit nga familjet rezidente shqiptare mund të kryhen si në Shqipëri, ashtu dhe në pjesën tjetër të botës. Shpenzimet e konsumit të rezidentëve shqiptarë, të cilat kryhen në pjesën tjetër të botës, konsiderohen si import i shërbimeve në Shqipëri. Në të njëjtën mënyrë, shpenzimet e konsumit të kryera në Shqipëri nga familjet rezidente në pjesën tjetër të botës, konsiderohen si eksporte të shërbimeve për Shqipërinë në llogaritë kombëtare. Shpenzimet e konsumit final të familjeve në llogaritë kombëtare në Shqipëri përfshijnë shpenzimet nga familjet rezidente në territorin e vendit dhe shpenzimet nga familjet rezidente të kryera jashtë vendit, duke përjashtuar shpenzimet e kryera nga familjet jo-rezidente në territorin e Shqipërisë. Si rezultat, konsumi final i familjeve në Shqipëri vlerësohet sipas të ashtuquajturit “koncept kombëtar”. |
Pse llogaritet konsumi final i familjeve në çmime konstante? |
Konsumi final i familjeve vlerësohet me çmimet e blerësit. Llogaritjet bëhen në çmime korrente dhe konstante. Vlerësimi me çmime konstante merret duke pjesëtuar vlerësimin me çmime korrente me indeksin e çmimeve të konsumit. Në llogaritë kombëtare në Shqipëri përdoret indeksi i çmimeve të konsumit bazë me vitin paraardhës për të llogaritur shpenzimet e konsumit final të familjeve. Në këtë mënyrë bëhen të krahasueshëm vlerësimet e dy viteve pasardhës dhe bëhet e mundur llogaritja e indeksit të rritjes reale. |
Çfarë është Formimi Bruto i Kapitalit dhe çfarë përfshin? |
Formimi Bruto i Kapitalit nënkupton vlerën bruto të konsumit të kapitalit fiks. Formimi neto i kapitalit përftohet duke zbritur konsumin e kapitalit fiks nga formimi bruto i kapitalit. Formimi bruto i kapitalit përfshin: 1. Formimin bruto të kapitalit fiks, 2. Ndryshimet në inventar, 3. Marrjet minus heqjet e sendeve me vlerë.
|
Çfarë është Formimi Bruto i Kapitalit Fiks? |
Formimi Bruto i Kapitalit Fiks (FBKF) konsiston në marrjet e prodhuesve rezidentë minus heqjet (shitjet apo daljet nga përdorimi) e aseteve fikse gjatë një periudhe të dhënë, duke përfshirë disa shtesa në vlerën e aseteve të paprodhuara të realizuara nga veprimtaria prodhuese e prodhuesit apo njësisë institucionale. FBKF konsiston në vlera pozitive dhe negative, ku vlera pozitive janë: 1. Asete fikse të reja apo ekzistuese të blera, 2. Asete fikse të prodhuara dhe të mbajtura për përdorim të vet, 3. Asete fikse të reja apo ekzistuese të marra nëpërmjet shkëmbimit, 4. Asete fikse të reja apo ekzistuese të marra nga transfertat në natyrë, 5. Asete fikse të reja apo ekzistuese të përfituara nga një qera financiare, 6. Përmirësime të mëdha të aseteve fikse, 7. Rritja natyrore e atyre aseteve natyrore që sjellin prodhim të vazhdueshëm; dhe vlerat negative janë: 1. Asete fikse ekzistuese të shitura, 2. Asete fikse ekzistuese të dhëna nëpërmjet shkëmbimit, 3. Asete fikse ekzistuese të dorëzuara si transferta kapitale në natyrë. |
Cilat janë tipet e Formimit Bruto të Kapitalit Fiks? |
Dallohen këto tipe kryesore të FBKF-së: 1. Marrjet minus heqjet e aseteve fikse të trupëzuara: a. Ndërtesa, b. Ndërtesa dhe struktura të tjera, c. Makineri dhe pajisje, d. Asete të kultivuara, p.sh. pemë dhe blegtori, 2. Marrjet minus heqjet e aseteve fikse të patrupëzuara: e. Kërkimet minerare, f. Programet kompjuterike, g. Origjinalet artistike dhe letrare, h. Asete të tjera fikse të paprekshme. 3. Përmirësimet e mëdha të aseteve të prekshme të paprodhuara, në veçanti të tokës, 4. Kostot e lidhura me transferimin e pronësisë së aseteve të paprodhuara, p.sh. tokës dhe aseteve të patentuara.
|
Çfarë janë ndryshimet e gjendjeve dhe cilat janë kategoritë e tyre? |
Ndryshimet e gjendjeve maten nga vlera e hyrjeve në gjendje minus vlerën e tërheqjeve dhe vlerën e çdo humbjeje të përsëritur të mallrave të mbajtura në gjendje. Ndryshimet e gjendjeve përbëhen nga katër kategori: 1. Lëndë e parë dhe furnizime, 2. Punë në proces, 3. Mallra të përfunduara, 4. Mallra për rishitje. |