HISTORIKU I STATISTIKAVE
Viti 2024 shënon 100-vjetorin e krijimit të zyrës së parë statistikore në Ministrinë e Punëve Botore dhe Bujqësisë në vitin 1924, e cila luajti një rol kyç në mbledhjen e të dhënave statistikore zyrtare në Shqipëri. Zyra ishte përgjegjëse për inventarizimin bujqësor, përfshirë numrin e bujqve, llojin dhe sasinë e kulturave bujqësore dhe blegtorale, si dhe për mbledhjen e disa statistikave të thjeshta mbi industrinë, tregtinë, eksport-importet dhe çmimet. Para vitit 1912, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, një shërbim statistikor zyrtar nuk ekzistonte. Institucionalizimi i parë i shërbimit statistikor në Shqipëri u bë në vitin 1940 me Dekretin nr. 121 të datës 8 prill.
Botimi i parë me statistika të plota është libri me titullin 'Shqipëria më 1923', i cili u realizua nga zyrtari i lartë i shtetit të asaj kohe, Z. Teki Selenica. Sistemi statistikor shqiptar u themelua më 13 janar 1945 me Vendimin nr. 35, duke krijuar Drejtorinë e Statistikës pranë Këshillit të Ministrave, e cila më vonë kaloi nën varësinë e Komisionit të Planit të Shtetit.
Sot, Instituti i Statistikave (INSTAT), si Koordinator i Sistemit Kombëtar Statistikor dhe si institucioni kryesor prodhues i statistikave zyrtare, ushtron aktivitetin e tij në përputhje me ligjin nr. 17 të datës 5 prill 2018 'Për statistikat zyrtare' dhe Programin shumëvjeçar të Statistikave, të miratuar me vendim të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë. Në një kohë kur vendimmarrja bazuar në të dhëna të besueshme është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm, 100 vitet e statistikave përfaqësojnë një thesar të çmuar që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.