Tregu i Punës

Metodologji

 

Anketa e Forcave të Punës

Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Subjekt i anketës së forcave të punës janë të gjithë individët 15 vjeç e lart të familjes së zgjedhur për t'u intervistuar.

Zgjedhja e kampionit bëhet sipas një procedure dy-hapëshe ku në hapin e parë zgjidhen zonat gjeografike me probabilitet përpjesëtimor me madhësinë e zonës së numërimit. Në hapin e dytë, brenda secilës prej zonave gjeografike (të zgjedhura në hapin e parë) zgjidhen sipas metodës së zgjedhjes sistematike me probabilitet të barabartë, një numër fiks prej 8 familjesh.

Për realizimin e anketës tremujore të forcave të punës përdoret një strukturë panel e alternuar zgjedhjeje, përmes së cilës një familje e zgjedhur për t'u intervistuar njëherë, mbahet në kampion për pesë tremujorë të njëpasnjëshëm. Intervistat për të njëjtën familje janë planifikuar të kryhen pas 13 javëve, kështu intervista e pestë kryhet një vit më pas intervistës së parë. Sipas strukturës panel të përdorur, në çdo tremujor një e pesta e familjeve të zgjedhura janë të reja dhe 80 përqind e familjeve janë të njëjta. Pra, në çdo tremujor në kampionin e zgjedhur për anketën shtohen 1.008 familje të reja dhe hiqet po i njëjti numër familjesh pasi janë intervistuar në 5 tremujorë të njëpasnjëshëm. Masa e kampionit të zgjedhur për anketim është 5.040 familje për çdo tremujor. Mbledhja e të dhënave në terren bëhet përgjatë gjithë muajve të vitit. Të dhënat e mbledhura i referohen një periudhe të  caktuar që njihet si javë reference.

Java e referencës është java kalendarike nga e hëna në të dielë para datës së intervistës.

Të punësuar janë konsideruar personat që kanë kryer një punë qoftë dhe për një orë kundrejt një page ose përfitimi gjatë javës së referencës.

Janë konsideruar si të punësuar edhe personat që marrin pagë për trajnimin gjatë punës, si dhe personat që kanë munguar përkohësisht në punën e tyre gjatë javës së referencës për arsye: (1) leje lindje, sëmundje lëndim apo paaftësi e përkoshme dhe presin të kthehen në punë, në shkollim/trajnim të lidhur direkt me punën aktuale; (2) të punësuarit me pagë që kanë munguar në punë për arsye të tjera nga të mësipërmet për të cilët (a) kohëzgjatja e mungesës është tre muaj ose më pak dhe personi nuk është punëtor sezonal ose (b) personi merr 50 përqind ose më shumë të pagës; (3) të vetëpunësuarit që kanë ndërmend të rikthehen në biznesin/fermën/praktikën profesionale; (4) punëtoret pa pagesë që presin të kthehen në punë në tre muaj ose më pak. Personat të cilët punojnë në fermën e tyre të vogël, të cilët nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetëkonsum, janë konsideruar të punësuar.

Të papunë konsiderohen personat që ishin:

a)     pa punë gjatë javës së referencës (as nuk kishin një punë dhe as kryen ndonjë punë (për një orë ose më shumë) kundrejt një page ose përfitimi.

b)    aktualisht të disponueshëm për të punuar (brenda dy javëve që pasojnë javën e referencës).

c)     duke kërkuar punë në mënyrë aktive (gjatë periudhës katër javore që përfundon me javën e referencës kishin ndërmarrë hapa specifike për të kërkuar punë me pagë ose për të ngritur një biznes të tyrin) ose kishin gjetur një punë që do ta fillonin së shpejti (brenda një periudhe prej të shumtën tre muaj).

 

Si hapa specifikë të ndërmarrë për të kërkuar punë konsiderohen rastet kur kanë:

  • kontaktuar me një zyrë publike punësimi për të gjetur punë
  • kontaktuar me një agjensi private punësimi për të gjetur punë
  • aplikuar direkt pranë ndonjë punëdhënësi
  • kërkuar miqve/shokëve, të afërmve, sindikatave etj.
  • vendosur ose u janë përgjigjur lajmërimeve në gazeta
  • studiuar lajmërimet në gazeta
  • marrë pjesë në një test apo intervistë
  • kërkuar për tokë, godinë ose pajisje
  • aplikuar për leje, liçenca ose burime financiare

 

Popullsia në moshë pune është popullsia 15-64 vjeç.

Forca e Punës përfshin personat e punësuar dhe të papunë.

Popullsia jo-ekonomikisht aktive përfshin të gjithë personat të cilët nuk janë klasifikuar si të punësuar ose të papunë (nxënës/studentë, shtepiakë, në pension, të paaftë, të papunë të dekurajuar).

Shkalla e punësimit është raporti i të punësuarve 15-64 vjeç kundrejt popullsisë në moshë pune.

Shkalla e papunësisë është raporti i të papunëve kundrejt forcës së punës.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës është raporti i forcës së punës kundrejt popullsisë në moshë pune.

 

Të dhënat administrative

Të dhënat administrative për punësimin dhe papunësinë në Shqipëri mblidhen bazuar në Programin e Statistikave Zyrtare dhe publikohen me periodicitet tremujor dhe vjetor.

Për punësimin në sektorin shtetëror të dhënat bazohen në informacionin e grumbulluar nga INSTAT në përputhje me Programin e Statistikave Zyrtare 2012-2016. Punësimi në sektorin publik përbëhet nga qeveria qendrore, pushteti vendor dhe ndërmarrjet publike.

Për punësimin në sektorin privat jo-bujqësor burimi është informacioni i mbledhur nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, i cili i merr të dhënat nga Zyrat e Punësimit dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Për punësimin në sektorin privat bujqësor në Shqipëri nuk ka një burim administrativ. Për këtë arsye burimi kryesor i përdorur për matjen e punësimit në këtë sektor janë anketat e kryera pranë familjeve. Nga viti 2007 e në vijim punësimi në sektorin e bujqësisë është vlerësuar nga anketa e forcave të punës.

Të punësuarjanë personat në moshë pune që kanë një punë si të punësuar me pagë ose si të vetëpunësuar të cilët janë të deklaruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Të dhënat për papunësinë e regjistruar mbështeten në informacionin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Regjistrimi i të papunëve në zyrat e punësimit bëhet në bazë të VKM Nr. 70, datë 11.02.1999 "Për evidentimin e punëkërkuesve të papunë".

Sipas këtij ligji, "punëkërkues", është çdo person i papunë, i disponueshëm për punësim, i cili paraqitet periodikisht në zyrën përkatëse të punësimit. Të tillë konsiderohen dhe personat të cilët janë në marrëdhënie pune ose të vetëpunësuar, por që kërkojnë një punë të re. Punëkërkuesi është një person, i cili:

a)     jeton në Shqipëri,

b)    është mbi 16 vjeç

c)     paraqitet personalisht në Zyrën e Punësimit për të gjetur punë

d)    është i aftë për punë

 

Parathënie

 

Statistikat e tregut të punës sigurojnë përshkrime të strukturës së tregut të punës bazuar në informacionin tremujor të të dhënave administrative dhe të vlerësimeve tremujore të anketës së forcave të punës që nga viti 2012. Qëllimi kryesor i prodhimit të statistikave të tregut të punës është marrja e një  informacioni sa më të plotë mbi tregun e punës dhe dinamikën e tij, si dhe për të vënë në dispozicion të politikë-bërësve statistikat e duhura për hartimin e politikave të tregut të punës.


Të dhënat për punësimin dhe papunësinë që publikohen nga INSTAT bazohen në dy burime të veçanta:

1- Burimet administrative, të cilat sigurojnë të dhëna për: (a) numrin e të punësuarve në ndërmarrjet të cilat deklarojnë tatimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; (b) punësimin në sektorin shtetëror; (c) papunësinë e regjistruar.

Seria kohore e të dhënave administrative të publikuara nga INSTAT daton që nga viti 1990. Këto të dhëna janë publikuar me periodicitet tremujor dhe vjetor.

2- Anketën e Forcave të Punës (AFP), e cila është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve dhe siguron informacion gjithëpërfshirës mbi situatën e tregut të punës. Objektivi kryesor për kryerjen e AFP është ngritja e një sistemi statistikor të qëndrueshëm të statistikave të forcave të punës sipas standarteve të EUROSTAT me qëllim mundësimin e (a) vlerësimit sasior dhe dinamik të zhvillimeve të tregut të punës; (b) përmirësimit të statistikave mbi punësimin dhe papunësinë; (c) përmirësimit të vlerësimit të punësimit informal si pjesë e ekonomisë së pavrojtuar.

Anketa e forcave të punës u krye për herë të parë në vitin 2007. Në vitet 2007-2011 Anketa e Forcave të Punës është kryer nga INSTAT me periodicitet vjetor. Në vitin 2012, Anketa e Forcave të Punës u projektua si një anketë për marrjen e vlerësimeve tremujore për punësimin dhe papunësinë në nivel kombëtar. Nga tremujori i parë 2013 e në vazhdim, INSTAT publikon tregues mbi tregun e punës të vlerësuar bazuar në të dhënat e anketës së forcave të punës me periodicitet tremujor.