Statistikat Fiskale të Qeverisë

Përkufizime

 

Këtu më poshtë jepen disa përkufizime të bazuara në botimin e Ministrisë së Financave
"Statistikat fiskale të qeverisë", nga ku edhe merren treguesit përkatës.
Metodologjia e përdorur është Cash Base.

 

Buxheti i Konsoliduar

 

Pasqyron të ardhurat, shpenzimet dhe defiçitin nga aktiviteti i institucioneve publike dhe rajonale pa transferimet reciproke midis tyre.

 

Të ardhurat gjithsej

 

Përfshijnë të gjitha të ardhurat nga burime të ndryshme  tatimore, jotatimore dhe ndihmat, duke përjashtuar të ardhurat nga privatizimi, të cilat janë konsideruar si financim për defiçitin.

 

Ndihmat

 

Janë të ardhurat që vijnë nga ndihmat që jepen nga qeveritë e shteteve të tjerë dhe donatorë të ndryshëm.

 

Të ardhura Tatimore

 

Janë të ardhura që merren nga vjelja e të gjitha llojeve të taksave dhe tatimeve që zbatohen.

 

Të ardhura nga Buxhetet e Pavarura

 

Duke i qëndruar besnike skemës aktuale, përfshijnë kontributet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetsore.

 

Të ardhura Jotatimore

 

Janë të ardhura të tjera që merren nga burime të ndryshme si aktiviteti ekonomik i sektorit buxhetor, transferim fitimi nga Banka e Shqipërisë, etj.

 

Shpenzimet gjithsej

 

Janë pagesat e pakthyeshme të qeverisë për blerjen e mallrave, shërbimeve, për transfertat dhe pagesat e interesave, për realizimin e funksioneve të shtetit.

 

Shpenzimet Korrente

 

Përfshijnë shpenzimet për shërbimet dhe sendet e konsumueshme (të konsumueshme në më pak se një vit) që janë të domosdoshme për kryerjen e operacioneve të qeverisë. Subvencionet, pagesat e interesit, etj. përfshihen në këtë kategori.

 

Shpenzimet Kapitale

 

Përfshijnë vetëm shpenzimet për sendet dhe shërbimet me afat përdorimi mbi një vit. Këtu futen pagesat për përftimin e sendeve me afat të gjatë përdorimi, mjetet e kapitalit fiks si dhe pagesat për zëvendësimin e mjeteve themelore të shkatërruara.

 

Defiçiti Buxhetor

 

Është tejkalimi i shpenzimeve mbi të ardhurat e buxhetit të shtetit.

 

Financimi i Defiçitit

 

Është përdorimi i fondeve hua  për të mbuluar shpenzimet qeveritare që nuk financohen nga të ardhurat.

 

Financimi i Jashtëm i Defiçitit

 

Është përdorimi i burimeve në formën e detyrimeve neto të krijuara gjatë një viti fiskal të qeverisë ndaj personave jorezidentë, institucioneve, qeverive të huaja, etj.

 

Financimi i Brendshëm i Defiçitit

 

Është përdorimi i burimeve në formën e detyrimeve neto të krijuara gjatë një viti fiskal të qeverisë ndaj personave rezidente, institucioneve brenda vendit, etj.