Shëndeti
Parathënie
Njohja e situatës shëndetësore të vendit
nëpërmjet treguesve statistikor të shëndetësisë është pjesë e
vlerësimit të sistemit të shërbimit shëndetësor për ruajtjen dhe
përmirësimin e shëndetit të tij. Situata shëndetësore
paraqitet me probleme për shkak të periudhës së vështirë të
tranzicionit, megjithatë treguesit kryesor janë në rrugën e
përmirësimit të tyre si në shërbimin shëndetësor parësor edhe atë
spitalor.Niveli i disa treguesve të rëndësishëm, si jetëgjatësia,
vdekshmëria dhe sëmundshmëria kronike janë të krahasueshme me
vendet zhvilluara, ndërsa tregues si vdekshmëria foshnjore,
vdekshmëria amtare dhe sëmundshmëria akute infektive janë të
krahasueshme me ato të vendeve në zhvillim. Tregues pozitiv është
ulja e sëmundshmërisë infektive dhe reduktimi i tyre që
parandalohen nga vaksinat. Sistemi Shëndetësor në Shqipëri është
kryesisht publik. Sektori Privat mbulon shërbimin farmaceutik,
stomatologjik dhe më pak shërbime të tjera. Ky sistem ka evoluar në
mënyrë të ndjeshme gjatë viteve të tranzicionit.Institucionet e
Shërbimit Parësor kanë si mision mbrojtjen e shëndetit në
përputhje me objektivat e OBSH " shëndet për të gjthë " . Këto
institucione kanë ardhur duke u zvogëluar përsa i përket numrit të
tyre dhe aktivitetit në treguesit kryesorë. Kjo shpjegohet me
riorganizimin e këtyre institucioneve, krijimin e mjediseve më të
përtshtatshme, rritjen e cilësisë së shërbimit si dhe krijimin e
sektorit privat. Në institucionet me shtretër, treguesit e
shërbimit spitalor duke qënë se mbulojnë gjithë shërbimin
shëndetsor spitalor shërbejnë si pikënisje për analizën e
sëmundshmërisë, epidemiologjisë, vdekshmërisë, burimeve njerëzore
etj.Institucionet në Shërbimin Spitalor përfaqsohen nga spitalet e
përgjithshme edhe të specializuara. Reforma spitalore me
kontributin e donatorëve po përmirëson treguesit e shfrytëzimit të
spitaleve në drejtim të përqendrimit të shërbimeve në spitale të
mëdhenj, në drejtim të aparaturave dhe shërbimeve më të
kualifikuara. Tregues në rritje mbeten një grup sëmundjesh të
popullatës si: sëmundjet e aparatit të frymëmarjes,
gastrointenstinal, infektive, urogenital, qarkullimit të gjakut dhe
insultet cerebrale. Statistikat tregojnë se një pjesë relativisht e
lartë e vdekjeve dhe sëmundjeve në Shqipëri vijnë si pasojë:
duhan-pirjes, abuzimi me alkool, pakujdesia në rrugë,
përdorimi i drogave ilegale, mënyra e të ushqyerit dhe stresi
si një fenomen i ri i shoqërisë moderne. Inaktiviteti fizik është
një faktor risku sepse ai prezanton një problem potencial për
hipertensionin, sëmundjeve të artereve koronare të zemrës etj.
Burimet e të dhënave
Burim informacioni janë të dhënat
administrative dhe vrojtimet e veçanta..
Të dhënat statistikore sigurohen nga të gjitha Institucionet e
Kujdesit të Shërbimit Parësor, të Shërbimit Spitalor, të Kujdesit
Social dhe të Zyrave të Gjëndjes Civile. Institucionet e vartësise
vendore e dërgojnë informacionin në Drejtoritë e Shëndetit
Publik të rretheve, kurse ato kombëtare direkt në Ministrinë e
Shëndetësisë.
Sigurimet Shoqërore dhe Mbrojtja Sociale
Parathënie
Sipas ligjit Nr. 7703 "Për Sigurimet
Shoqërore në Republikën e Shqipërisë", datë 11 maj 1993, Sistemi i
Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore mbështetet në parimin
kontributiv, parimin e vetëpërgjegjësisë së individit për risqet e
së ardhmes në fushën sociale, si dhe në parimin e marrëveshjes së
brezave "paguaj sot që të përfitosh nesër (pay as you go)".
Sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore
përbëhet nga: Sigurimi Shoqëror i Detyrueshëm, Sigurimi Shoqëror
Vullnetar, Sigurimi Shoqëror Suplementar, Pensionet e Posaçme
Shtetërore.
Në këmbim të kontributeve, sistemi mbron me
të ardhura personat e punësuar në lidhje me: barrëlindjen,
paaftësinë e përkohëshme në punë për shkak të sëmundjes, sëmundjet
profesionale dhe aksidentet në punë, pleqërinë, invaliditetin,
humbjen e mbajtësit të familjes, papunësinë dhe personat e tjerë
ekonomikisht aktivë (punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit) në lidhje
me: barrëlindjen, pleqërinë, invaliditetin, humbjen e mbajtësit të
familjes. Gjithashtu, nëpërmjet skemave vullnetare dhe
suplementare, sistemi ofron pensione në një masë më të madhe ose më
parë se sa ofron skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror.
Parimi bazë i ndërtimit dhe funksionimit të
sistemit të sigurimeve shoqërore është solidariteti i brezave, ku
brezi aktiv kontribuon për brezin pasiv. Prandaj, një tregues i
rëndësishëm i skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore është
raporti e varësisë së sistemit (RVS), i cili mat numrin e
kontribuesve për një përfitues.
Raporti i normës së varësisë së sistemit
Kontribues/Përfitues për vitin 2004 ishte 1.27 kontribues për një
përfitues ndërsa pati një rënie në vitin 2005. Në vitin 2008 ky
raport ishte 1.35 kontribues për një përfitues dhe në vitin 2011
raporti ishte 1.32 kontribues për një përfitues.
Të papunët e regjistruar trajtohen nga dy
skema: pagesa e papunësisë dhe ndihma ekonomike. Në vitin 2011,
rreth 8.5 mijë të papunë të regjistruar përfituan pagesë papunësie,
duke përbërë 6 përqind të numrit total të të papunëve të
regjistruar. Rreth 88.8 mijë persona ishin të papunë afatgjatë, të
papunë që kishin më shumë se 12 muaj të regjistruar në Zyrat e
Punësimit dhe që në bazë të ligjit nuk kanë të drejtën e marrjes së
pagesës së papunësisë.