Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve

Metodologji

 

Regjistri i ndërmarrjeve përmban të gjitha njësitë ligjore jo bujqësore (ndërmarrjet e institucionet) që ushtrojnë aktivitet ekonomik brenda territorit të Shqipërisë.

 

Baza ligjore

 

  • Ligji Nr. 9180, datë 5.2.2004 "Për statistikat zyrtare", i ndryshuar;
  • Rregullore e Këshillit EU (EEC) Nr 177/2008 datë 20 Shkurt 2008 mbi Ndërtimin e regjistrave të ndërmarrjeve për qëllime statistikore;
  • Vendim i Kuvendit të Shqipërisë Nr. 3/2013 datë 14/02/2013 "Për miratimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2012-2016";
  • Vendim i Këshillit të Ministrave për "Për miratimin e nomenklaturës së veprimtarive ekonomike të revizionuar (Rev.2)" Nr. 320, datë 28.5.2014;
  • Ligji Nr 8957 datë 17.10.2002 "Për ndërmarrjet e vogla e të mesme, SME" ndryshuar me Ligjin Nr 10042 datë 22.12.2008.

 

Variablat kryesore të Regjistrit të Ndërmarrjeve grupohen në këto kategori:

Variablat e identifikimit

  • NIPT, Forma ligjore, Pronësia, Emri, Adresa, Komunikimi (Tel, Faks etj.)

Variablat shtresor

  • Aktiviteti ekonomik kryesor, Madhësia sipas të punësuarve, Vendndodhja gjeografike, Sektori institucional

Variablat demografik

  • Data e krijimit, Data e mbarimit

 

Burimet për përditësimin e variablave

 

Burime administrative

  • Informacioni nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit(QKR);
  • Informacioni nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve(DPT);
  • Skedari i TVSH-së;
  • Llogaritë vjetore të ndërmarrjeve.

 

Burime statistikore

  • Anketa e Ndërmarrjeve të Reja;
  • Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve;
  • Anketa Tremujore pranë Ndërmarrjeve;
  • Anketa e Çmimeve të Prodhimit,IÇP;
  • Anketa të tjera.

 

Variablat që përditësohen janë:

  • Statusi i aktivitetit (aktive ose jo-aktive);
  • Aktiviteti ekonomik kryesor;
  • Madhësia sipas të punësuarve;
  • Adresa;
  • Variabla të komunikimit (telefon, faks, celular, e-mail).

 

Aktiviteti ekonomik i ndërmarrjes bazohet në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev.2

 

Përkufizime

 

Njësia ligjore

Njësia ligjore nuk është direkt njësi statistikore. Njësia ligjore mund të jetë:

  • Person juridik, ekzistenca e të cilit njihet nga ligji. pavarësisht nga individët apo institucionet që mund ta zotërojnë apo janë anëtarë në të;
  • Person fizik i angazhuar në një aktivitet ekonomik në të drejtën e tij.

 

Ndërmarrja

Ndërmarrja është: "kombinimi më i vogël i njësive ligjore pra një njësi organizative që prodhon të mira apo shërbime që ka një farë autonomie në marrjen e vendimeve, veçanërisht për shpërndarjen e burimeve aktuale të saj. Ndërmarrja kryen një ose me shumë aktivitete në një apo më shumë vendndodhje (njësi lokale)".

Marrëdhënia mes një ndërmarrje dhe një njësie ligjore përkufizohet si: "ndërmarrja i korrespondon ose një njësie ligjore ose një kombinimi njësish ligjore".

 

Njësia lokale

Njësia lokale është një ndërmarrje apo pjesë e saj (p.sh manifakturë, fabrikë, magazinë, zyrë, minierë apo depo) të ndodhura në zona të identifikuara gjeografikisht. Tek ky apo nga ky vend ushtrohet aktiviteti ekonomik për të cilin - me përjashtim të disa rasteve - punojnë një ose më shumë persona (edhe pse me kohë të reduktuar) për një ndërmarrje të vetme.

 

Nomenklatura e Veprimtarive Ekonomike (NVE), është klasifikim në nivel katërshifror i veprimtarive ekonomike të ushtruara në subjekte të ndryshme.

Kjo nomenklaturë është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave,Nr. 320, datë 28.5.2014.

Ky klasifikim është përkthimi dhe përshtatja e Nomenklaturës së Aktiviteteve Ekonomike të Komunitetit Evropian, NACE Rev.2.

 

Shkalla e lindshmërisë

Shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve në një periudhë të caktuar është numri i ndërmarrjeve të reja si përqindje ndaj totalit të ndërmarrjeve aktive.

 

Material shpjegues mbi NVE Rev. 2

Ndryshimet ndërmjet NVE Rev. 1.1 dhe NVE Rev. 2


 

 

KARAKTERISTIKAT KRYESORE TË NDËRMARRJEVE, 2013

 

Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve shërben për qëllime statistikore dhe identifikon qartësisht njësitë, në mënyrë që:

  • Të lejojë marrjen e informacionit për to nëpërmjet burimeve administrative;
  • Të lejojë përgatitjen e kampionëve, koordinimin e anketave dhe për grupimin e rezultateve të tyre;
  • Të lejojë analizën demografike të popullsisë së ndërmarrjeve dhe njësive lidhur me to.

Regjistri i Ndërmarrjeve është bazë për hartimin e statistikave të nevojshme për dhënien e treguesve afat-shkurtër dhe të zhvillimeve strukturore ekonomike.

Ky regjistër bazohet në informacionin e marrë nga burimet administrative si:  Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve(DPT), Qendra Kombëtare e Regjistrimit(QKR) si dhe nga vrojtimet statistikore që organizon INSTAT-i apo agjencitë statistikore.

 

Statistika me komente, 2013

Gjetje

  • 111.083 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin ekonomik gjatë vitit  2013 krahasuar me 106.387 ndërmarrje aktive gjatë 2012;
  • 123,332 njësi lokale aktive numërohen  në territorin e Republikës së Shqipërisë. Krahasuar me vitin 2012 numërohen 4.700 njësi lokale më shumë;
  • Krahasuar me një vit më parë qarku  i Tiranës shënon një rritje me 4.182 ndërmarrje aktive, ndërsa qarqet Durrës dhe Shkodër kanë një rënie respektivisht me 1.026 dhe 598 ndërmarrje;
  • 12.131 është numri i ndërmarrjeve të  reja në vitin 2013 krahasuar me 12.828  në vitin 2012. 36,9 % e ndërmarrjeve të reja kanë aktivitet ekonomik "Tregti". Në grupin e tregtisë  mbizotërues  me 72,5% është "Tregtia me pakicë përveç tregtisë së automjeteve dhe motorçikletave";
  • 84,8 % e ndërmarrjeve aktive janë prodhues të shërbimeve. Gjatë vitit 2013, në këtë grup operojnë 3.817 ndërmarrje më shumë se viti 2012;
  • 797 ndërmarrje janë klasifikuar si tatim pagues të mëdhenj;
  • 54,1 % e ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta janë me origjinë nga Italia e Greqia;
  • 27,8 % e ndërmarrjeve aktive menaxhohen nga femrat.

 

Ndërmarrjet me aktivitet ekonomik tregti, akomodim dhe shërbim social mbizotërojnë me 56,4 %.

Aktiviteti tregtar vazhdon të jetë më i preferuari në vendim marrje për një aktivitet të ri dhe përfaqëson 36.9 % të ndërmarrjeve të reja.

Në grupin e prodhuesve të të mirave mbizotërues janë ndërmarrjet me aktivitet ekonomik industri, 61,4 %.

Në grupin e prodhuesve  të shërbimeve mbizotërues janë ndërmarrjet me aktivitet ekonomik tregti, 47,6 %.

Industria dhe shërbime të tjera si: arsim, shëndetësi e ndërmjetësime financiare, përfaqësojnë 76,5 % të ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar.

Rreth 90 % të ndërmarrjeve janë me 1-4 të punësuar. Pjesa më e madhe, 69 %, janë me vetëm një të vetëpunësuar.

Ndërmarrjet e mëdha me  50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,3 % të ndërmarrjeve gjithsej, por kontributi i tyre në punësim është shumë i ndjeshëm, 26,7 %.

Mbizotërimi i prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet, dhe luhatet nga 80,0 % në qarkun e Vlorës deri në 87,5 % në qarkun e Tiranës.

Domination of producers of services is an occurrence in all prefectures, varying from 80.0 % in prefecture of Vlora up to 87.5 % in prefecture of Tirana.

Në vitin 2013 shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve është 10,9 % nga 12,2 % në vitin 2012. Gjatë këtij viti janë krijuar 12.131 ndërmarrje të reja.

Qarku i Tiranës ka shkallën më të lartë të lindshmërisë me 12,9 %, ndërsa qarku i Beratit më të ulët me 7,7 %.

 

Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta

 

4.654 ndërmarrje kanë pronarë apo bashkëpronarë të huaj. 5,75 % e tyre  anë ndërmarrje me 50 e më shumë të punësuar dhe punësojnë 75,7 % të  të punësuarve të ndërmarrjeve me pronësi të huaj e të përbashkët.

Ndërmarrjet e mëdha të këtij grupi ushtojnë aktivitet ekonomik kryesisht në: prodhim veshjesh e këpucësh,aktivitetet bankare, prodhim dhe shpërndarje e energjisë elektrike.

80 % e ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta janë përqendruar në qarqet Tiranë dhe Durrës.

 

Femrat pronare/administratore

 

27,8 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej menaxhohen nga femrat.

33.4 % e aktivitetit ekonomik tregti menaxhohen nga femrat.

14,4 % e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar menaxhohen nga femrat;

30,4 % e ndërmarrjeve në qarkun e Tiranës menaxhohen nga femrat, ndërsa përqindja më e ulët është në qarkun Kukës me     15,1 %.

29,3 % e ndërmarrjeve të krijuara gjatë vitit 2013 menaxhohen nga femrat.

 

Njësitë lokale

 

Nga 111.083 ndërmarrje aktive në vitin 2013, 108.767 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje, e cila konsiderohet 1 njësi lokale.

2.316 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin e tyre në më shumë se një vendndodhje. Ato përfaqësojnë vetëm 2 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej dhe numri i të punësuarve në to është 33 % e numrit të të punësuarve gjithsej.

78,7 % e njësive lokale janë përqendruar në zonat urbane nga të cilat  56 % ushtrojnë aktivitetin ekonomik në qarqet Tiranë dhe Durrës.

 



Baza e te dhënave statistikore