Popullsia

Lindjet dhe Vdekjet

 

Parathënie

 

Duke u bazuar në të dhënat statistikore mbi lindjet  vëmë re se numri i tyre ka rënë. Veçantësi për këtë periudhë është  ulja e koeficientit sintetik të fekonditetit (numri mesatar i fëmijëve për një grua). Arsyet e rënies së këtij treguesi janë të shumtë, por ne po përmëndim vetëm disa prej tyre:

 

  • Emigracioni i larte i popullsise ne moshe fertile
  • Rritja e moshës mesatare të martesës si te femrat ashtu dhe te meshkujt
  • Përdorimi i metodave të planifikimit familjar, etj.

 

Nga të dhënat statistikore mbi vdekshmërinë vihet re një qëndrueshmëri e nivelit të saj. Përsa i përket ndarjes sipas gjinisë, vërehet se në totalin e vdekjeve, meshkujt janë ata që vdesin më shumë  në krahasim me femrat, rreth 56% të totalit të rasteve.
Femrat shqiptare jetojnë më shumë se meshkujt. Jetëgjatësia në Shqipëri në vitin 2006 ishte 77.2 vjeç për femrat dhe 72.4 vjeç për meshkujt.

 

Martesat dhe Divorcet

 

Parathënie

 

Martesa është nje tregues tjetër, mbi të cilin periudha kalimtare që po kalon vendi ynë  nuk ka dhënë ndikimet e veta. Gjatë periudhës 1993-2001 numri i martesave është zvogeluar rreth 12 përqind  Në Shqipëri, ne vitin 2007, mosha mesatare e martesës për femrat është 23.3 vjeç, ndërsa për meshkujt 29 vjeç. Në krahasim me vitet 1960 - 1970 ka një rritje të moshës mesatare të martesës prej dy vitesh për të dyja gjinitë. Tek të rinjtë deri në moshën 34 vjeç për të dyja gjinitë vërehet një nivel pothuajse i barabartë martesash. Ndryshe paraqitet kjo tek grup-moshat 34-39 vjeç, meshkujt e martuar mbi 30 vjeç përbëjnë më shumë se tre fishin e femrave të martuara të po këtij  intervali  moshe. Rritja e moshës mesatare të martesës sjell në përgjithësi krijimin e familjeve më të qëndrueshme, treguesi i  "zgjidhjes së martesës" (divorcit) për 100 martesa është rritur nga 9.6 në vitin 2001 në 15 në vitin 2007.
Po të krahasojmë  këtë tregues me vende te tjera mund te themi që ai eshte akoma i  ulët, ky është i lidhur me faktin që femrat shqiptare për hir të fëmijëve dhe nivelit të ulët ekonomik  pranojnë të mbajnë një bashkëshort jo të denjë edhe pse vuajnë psikologjikisht apo keqtrajtohen.  Përqindja më e lartë e divorceve vërehet tek çiftet pa fëmijë. Gati 40 % e divorceve të regjistruara në vitin 2002 janë nga çiftet pa fëmijë. Kjo përkon me fluksin e madh  të emigrimit të meshkujve jashtë vendit gjatë kësaj periudhe ku shumë prej tyre u larguan dhe braktisën familjet.

 

Popullsia

 

Parathënie

 

Siç vihet re nga të dhënat, popullsia rritet me ritme shumë të vogla. Dy kanë qenë faktorët kryesor në ritmin e pakësimit së popullsisë: emigracioni relativisht i lartë dhe rënia e vazhdueshme e numrit të lindjeve. Nga 82 mijë lindje që ishin në vitin 1990, në fund të vitit 2008 numri i tyre arriti në rreth 36 mijë duke shënuar një rënie prej 56 %. Që nga viti 1960 indeksi sintetik i fekonditetit ka pësuar rënie të vazhdueshme. Në vitin 1960 ishte mjaft i lartë më shumë se 5 fëmijë për një femër te grupmoshës riprodhuese, në vitin 2008 ky indeks është ulur në 1.4 fëmijë për një femër të grupmoshës riprodhuese. Ky tregues është mjaft domethënës pasi ka të bëjë me riprodhimin e popullsisë.
Sipas parashikimeve të popullsisë të bëra mbi bazën e Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2001, ky tregues do të vazhdojë të bjerë, gjë që tërheq vëmendjen për fillesën e një mplakjeje të popullsisë. Megjithatë popullsia shqiptare vazhdon të mbetet një popullsi me moshë të re, mosha mesatare e saj 32.8 vjeç, ku 32.3 vjeç është për meshkujt dhe 33.3 vjeç për femrat.
Popullsia shqiptare konsiderohet një popullsi e re. Pas vitit 1990 ajo njohu dukuri të reja siç ishte ai i migracionit, i cili ndikoi  mjaft si në strukturën ashtu edhe në ritmet e rritjes së saj. Të dhënat për vitin 2001 janë marrë nga rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave që u krye në prill të vitit 2001. Të dhënat e popullsisë 1995-2000 bazoheshin në projeksionet e popullsisë duke marrë si bazë rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 1989. Hipoteza e emigracionit sipas projeksioneve pas vitit 1995 nuk u vërtetua sepse kjo dukuri mori përmasa më të mëdha në vitet në vazhdim. Lëvizja e lirë dhe e pakontrolluar e popullsisë ka ndikuar në ndryshimin e raportit të popullsisë qytetare me atë fshatare. Në vitin 2004 popullsia qytetare është rritur në 45-përqind dhe ajo fshatare është ulur nga 57.3-përqind në vitin 2001 në 55 -përqind. Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1989, popullsia qytetare përbënte 35.8 përqind të popullsisë gjithsej. Procesi i ndarjes së re administrative të Shqipërisë në 36 rrethe i filluar në vitin 1992 (nga 26 rrethe në vitin 1989) nuk mundëson krahasimin e ritmeve të rritjes së popullsisë për rrethe apo qytete të veçanta, si një proces në vazhdimësi.

 

Burimet e të dhënave

 

Të dhënat nga Zyrat e Gjëndjes Civile të Rretheve
Projeksionet e Popullsisë>
Rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë të vitit 1989
Popullsia e Shqipërisë në 2001:Rezultatet Kryesore
Projeksionet e Popullsise për Shqipërinë 2001 - 2021