Llogaritë Kombetare

Llogaritë Kombëtare

Llogaritë Kombëtare luajnë një rol të rëndësishëm në hartimin e politikave ekonomike dhe janë baza e informacionit për të treguar zhvillimin dhe ndryshimet strukturore të ekonomisë së vendit. Ato i ofrojnë përdoruesve të dhëna të detajuara mbi prodhimin, të ardhurat dhe shpenzimet e sektorëve të veçantë të një ekonomie, prodhimin e aseteve, mirëqenien e popullatës, etj.

Prej Qershorit  2014, Shqipëria fitoi statusin e vendit Kandidat për aderim në Bashkimin Evropian. Status i cili shoqërohet dhe me një numër të madh detyrimesh për të qënë në linjë të plotë me standartet e Bashkimit Evropian. Pjesë e këtyre detyrimeve është edhe zhvillimi i statistikave dhe veçanërisht i atyre të Llogarive Kombëtare, në përputhje me Programin e Transmetimit të të dhënave ESA 2010.

(Për më tepër: http://ec.europa.eu/eurostat/documents/3859598/5936561/KS-01-13-429-3A-C-EN.PDF/69e7e68c-661d-44dc-bef3-d0e560403722)

Ky program mbështetet në Sistemin Evropian të Llogarive Kombëtare dhe Rajonale (ESA 2010), siç përcaktohet në Aneksin B të rregullores Nr. 549/2013 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të datës 21 Maj 2013. ESA 2010 është korniza më e re e llogarive EU e përshtatshme ndërkombëtarisht e cila siguron një përshkrim sistematik e të detajuar të ekonomisë. ESA 2010 është implementuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në Shtator të vitit 2014.

Edhe llogaritë kombëtare shqiptare kanë bërë një punë intensive në fushën e statistikave të llogarive kombëtare për përmirësimin dhe shtimin e treguesve makroekonomikë në përputhje me ESA 2010. Implementimi i kësaj metodologjie është shumë i rëndësishëm pasi siguron përpilimin e statistikave të llogarive kombëtare në mënyrë konsistente, të krahasueshme, të besueshme dhe të përditësuar, duke bërë të mundur përshkrimin e ekonomisë së vendit apo rajoneve të tij plotësisht të krahasueshme me ekonomitë e vendeve të tjera. Natyrisht rruga drejt implementimit të plotë të ESA 2010 nuk është e lehtë dhe kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të ekonomisë së vendit, qofshin këto institucione qeveritare, jo-qeveritare, biznese apo familje, statistikat e të cilëve përbëjnë burimin bazë të informacionit dhe janë shumë të rëndësishme për përpilimin e sistemit të plotë të llogarive kombëtare.

Aktualisht, llogaritë kombëtare shqiptare janë të strukturuara si më poshtë:

1-    Llogaritë kombëtare vjetore.

2-    Llogaritë kombëtare tremujore,

3-    Llogaritë kombëtare rajonale dhe të Qeverisë së Përgjithshme

4-    Tabelat e Burim-Përdorimeve dhe Input-Output

Një përshkrimi i burimeve dhe metodave të përdorura në llogaritë kombëtare gjendet në materialin e mëposhtëm. Ai është një nga manualet kryesore metodologjike të Llogarive Kombëtare në Shqipëri, është hartuar për herë të parë në vitin 2010, në kuadër të projektit IPA 2007 dhe u përditësua gjatë projekteve të bashkëpunimit Multi-Rajonal IPA 2008 dhe IPA 2009.(I disponueshëm vetëm në gjuhë angleze).

Manuali do të jetë objekt i përditësimeve të vazhdueshme, duke u mbështetur në politikat e revizionimit që aplikon INSTAT për Llogaritë Kombëtare. Aktualisht procesi i rishikimit të këtij manuali, po kryhet në kuadër të Projektit të bashkëpunimit Multi-Rajonal IPA 2012, ku do të reflektohen të gjitha revizionimet e vlerësimeve të statistikave të Llogarive Kombëtare, si rezultat i ndryshimeve metodike të ESA 2010 dhe zhvillimit të burimeve të reja statistikore.

Llogaritë Kombëtare: Përshkrimi i metodave dhe burimeve për Shqipërinë