Buxheti i Familjes

Metodologji

 

Anketa  e Buxhetit të Familjes u krye nga INSTAT gjatë periudhës 1-vjecare: Tetor 2006 - Shtator 2007. Vrojtimi kishte një target prej 5600 familjesh të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë.

 


Mbledhja e të dhënave bazohet në dy mënyra të ndryshme të mbledhjes së informacionit:

 

  • Plotësimi i një ditari të blerjeve (si dhe një ditari të vet-konsumit sa herë që familja deklaron se konsumon artikuj/shërbime të prodhuara nga vetë ajo), nga ana e familjeve për 14 ditë të njëpasnjëshme.
  • Kryerja e një interviste direkte nëpërmjet anketuesit.


Tabelat paraqesin të dhëna mbi të gjitha shpenzimet për konsum të familjeve për blerje produktesh dhe shërbimesh me përjashtim të blerjeve për pajisje afatgjata, investimeve kapitale dhe qerasë së imputuar.

 

Të dhënat mbi shpenzimet dhe konsumin e familjeve pasqyrojnë:

 

  • Shpenzimet e konsumit të familjeve shqiptare sipas ndarjes së 12 grupeve kryesore dhe sipas prefekturave.
  • Buxheti i familjeve për vitin 2007, i ndarë për 12 grupet kryesore të shpenzimeve dhe sipas karakteristikave bazë të kryefamiljarit dhe tipit të familjes.
  • Evolucioni i shpenzimeve të detajuara për nën-grupet kryesore të shpenzimeve ushqimore si dhe për grupet kryesore jo-ushqimore.Për të bërë klasifikimin e produkteve dhe shërbimeve të blera nga familjarët, u përdor klasifikimi Europian i Produkteve sipas Qëllimit (COICOP HBS-5 digit, 1999) i përshtatur për Anketën e Buxhetit të Familjes. Nomenklatura u përshtat në kushtet aktuale shqiptare dhe përbëhet nga rreth 600 lloj produktesh dhe shërbimesh.

 

Përkufizime

 

Konsumi final i familjeve, përfaqëson vlerën e produkteve dhe shërbimeve që përdoren për të plotësuar nevojat individuale të këtyre familjeve. Shpenzimet më të shpeshta të familjeve për nevojat e tyre, janë regjistruar në një fletore në formë ditari. Përveç emërtimit të artikujve/shërbimeve të blera, është regjistruar në fletore njësia e matjes, pesha si dhe vlera përkatëse. Duhet theksuar se punimet për mirëmbajtje dhe riparime të jashtëzakonshme kapitale si dhe blerja e një apartamenti janë konsideruar si investime kapitale të bëra nga familjet dhe jo si shpenzime konsumi.

Shpenzimet për kujdes mjekësor, përfshijnë shpenzimet që familjarët bëjnë për blerje ilaçesh, apo shpenzime të tjera për shëndetin si dhe shërbimet spitalore.

Shpenzimet për veshje dhe këpucë, përfshijnë shpenzimet e bëra nga familjarët për blerje veshjesh dhe këpucësh të të gjitha llojeve.

Shpenzimet për transport përfshijnë shpenzimet për pjesë këmbimi, karburante dhe lubrifikantë, mirëmbajtjen e pajisjeve personale të transportit, shpenzimet e kryera në transport urban apo interurban si dhe të gjitha shpenzimet për transport detar, ajror dhe hekurudhor.

Shpenzimet për pushime, përfshijnë shpenzimet e bëra nga familjet në rastet kur kanë shkuar me pushime. Shpenzimet për pushime përfshijnë edhe qëndrimin në hotel për të paktën një natë.

Shpenzimet për kujdes personal: përfshijnë shpenzimet e bëra nga familjet për sende të kujdesit personal që konsiderohen afatgjatë, duke përjashtuar këtu sendet e konsumit të zakonshëm.

Konsumi për vete, është konsumi përfundimtar i mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga vetë familjet. Në këtë konsum janë përfshirë kryesisht produkte ushqimore me origjinë nga kopshtet që kanë vetë familjet dhe vlerësohet me çmimet momentale të tregut më të afërt.

 

Parathënie

 

Të dhënat e anketës së kryer në vitin 2006-2007 me një kampion prej rreth 5600 familjesh, bëjnë të mundur përshkrimin e shpenzimeve për konsum të familjeve shqiptare. Në periudhën e referencës shpenzimet mesatare mujore për konsum  të familjeve vlerësohen në shifrën 69 mijë lekë, duke pasur parasysh se një familje në Shqipëri përbëhet mesatarisht nga 4 persona.
Nëse konsiderojmë shpenzimet mesatare mujore për konsum për frymë në periudhën një-vjecare 2006-2007, rezulton se një individ në Shqipëri konsumon mesatarisht rreth 17 mijë lekë në muaj nga të cilat 9 mijë lekë për konsum ushqimor dhe pjesa tjetër për konsum jo-ushqimor.
Ushqimi (pa përfshirë pijet alkoolike), mbetet një element i rëndësishëm në buxhetin familjar, duke zënë 47.6 për qind të tij. Në këtë grup, peshën më të madhe e zë shpenzimi për "Mish dhe nënprodukte", që përbën rreth 22.5 për qind të buxhetit brenda këtij grupi. Produktet që vijnë më pas, për nga vlera e shpenzuar janë "Qumështi, vezët dhe nënproduktet e tij" me një peshë prej 16.1 për qind si dhe "Bukë dhe drithëra" me 15.5 për qind. Vijojnë nëngrupet: perime, që zënë 14 për qind të këtij grupi dhe fruta, që zënë 8.8 për qind.
Anketa e buxhetit të familjes mundëson analizën e të dhënave statistikore sipas prefekturave të vendit. Nga rezultatet e dala shohim se prefektura e Tiranës shënon konsumin më të madh me 83,817 Lekë. Me pas vjen prefektura e Durrësit dhe ajo e Gjirokastrës, përkatësisht me 82,905 Lekë dhe 82,815. Prefekturat me nivelin më të ulët të konsumit janë Dibra dhe Berati, respektivisht me 51,262 dhe 54,146 Lekë.
Niveli dhe struktura e shpenzimeve për konsum ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe përbërjes familjare. Familjet e përbëra nga një person i vetëm dhe çiftet pa fëmijë, shpenzojnë më shumë për ushqim krahasuar me tipet e tjera të familjeve. Gjithashtu, familjet me një person të vetëm dhe çiftet pa fëmijë shpenzojnë më shumë se tipet e tjera të familjeve për kujdes shëndetësor dhe për banesën.
Një përpjekje për të krahasuar evolucionin e konsumit nga viti 1999-2000, kur është kryer anketa paraardhëse e buxhetit të familjes por vetëm për zonën urbane të Shqipërisë, në krahasim me përfshirjen totale të territorit të vendit në 2006-2007, nxjerrim si rezultat se konsumi mesatar mujor për frymë ka pasur një rritje prej rreth 2 herë. Duke patur parasysh efektin inflacionist në periudhën 2000-2007, mund të arrijmë në konkluzionin se shpenzimet reale për frymë për konsum janë rritur rreth 1.8 herë.

 

Burimi

 

Anketa e Buxhetit të Familjeve, 2006 - 2007
Anketa Urbane e Buxhetit të Familjes 1999-2000, INSTAT

RSS për këtë temë

Botimet