Arsimi

Metodologji

 

Baza metodologjike e arsimit në vendin tonë është "Programi Kombëtar i Arsimit". Programi Kombëtar i Arsimit përfshin të gjitha aktivitetet sistematike dhe të paramenduara, që kanë si qëllim plotësimin e nevojave për të mësuar. Ai përfshin shumëllojshmëri programesh dhe tipesh arsimi, të cilat janë ndërtuar duke u mbështetur në tabanin kombëtar.
Në Programin Kombëtar të Arsimit nuk përfshihen mësimi i rastësishëm që ndodh si pasojë e një ngjarjeje, p.sh. mbledhjet, seminaret etj.
Pjesë e Programit Kombëtar të Arsimit është edhe sistemi i treguesve statistikorë, të hartuar në bazë të kërkesave që ka procesi mësimor, organizimi e drejtimi i shkollës si dhe të administratës shtetërore, në radhë të parë të Ministrisë së Arsimit e Shkencës dhe INSTAT-tit. Sistemi i treguesve statistikorë është një sistem pasqyrash, që plotësohen me treguesit më të rëndësishëm sasiorë të shkollës, të mbledhura periodikisht në bazë të një metodologjie të caktuar, në bazë të përvojës së gjatë kombëtare dhe koncepteve e përcaktimeve ndërkombëtare, duke u bërë kështu pjesë e politikës arsimore dhe të vendimarrjes. Duke filluar që nga viti 1997, sipas rekomandimeve të UNESCO-s për klasifikimin e Niveleve të shkollave dhe Fushave  të studimit të përcaktuara në "ISCED-97", Klasifikimi Ndërkombëtar Standart i Arsimit-1997, shkolla në vendin tonë ndahet në këto nivele:

 

  • Niveli 0 - Arsimi parashkollor;
  • Niveli 1 - Cikli i Ulët i Arsimit 9-vjeçar;
  • Niveli 2 - Cikli i Lartë i Arsimit 9-vjeçar;
  • Niveli 3 - Arsimi i Mesëm;
  • Niveli 4 - Arsimi mbi të mesmen dhe jo i lartë;
  • Niveli 5 - Arsimi i Lartë universitar dhe jouniversitar;
  • Niveli 6 - Arsimi Pasuniversitar për tituj dhe grada shkencore.

 

Arsimi Parashkollor  është arsimimi i fëmijëve të moshës 3, 4 dhe 5 vjeçe, me frekuentim jo të detyrueshëm. Në vitin shkollor 2004-2005 filloi implementimi për herë të parë i sistemit 9-vjeçar të arsimit bazë i cili është i detyrueshëm. Ky nivel është i organizuar në dy cikle, pesë klasat e para në  Ciklin e Ulët dhe katër klasat e tjera në Ciklin e Lartë. Arsimi i Mesëm përfshin shkollat e Mesme të Përgjithshme dhe shkollat e mesme Profesionale dhe Teknike  3, 4 dhe 5 vjeçare. Deri tani  Arsimin Publik nuk është i organizuar dhe nuk jane çelur shkollat mbi të Mesme dhe jo të Larta, niveli 4, duke e vlerësuar këtë si një mangësi të sistemit tonë arsimor. Arsimi i Lartë është i organizuar në 10 shkolla të larta universitare. Fushat e studimit dhe trajnimit në Arsim sipas klasifikimit të ISCED-97 ndahen në 9 fusha të gjera, 25 fusha të kufizuara dhe 80 fusha të hollësishme. Arsimi i Mesëm dhe i Lartë është i organizuar kryesisht në sistemin me shkëputje nga puna dhe më pak pa shkëputje nga puna. Tipar i rëndësishëm i zhvillimeve në arsim në vitet e fundit është rritja e arsimit jo publik privat si nga numri i fëmijëve, nxënësve dhe studentëve ashtu dhe institucioneve.

 

Përkufizime

 

Arsimi  publik (formal, zyrtar) është arsimi në një sistem shkollash, kolegjesh, institucionesh dhe universitetesh, të cilat zakonisht përbëjnë një vazhdimësi të arsimit pandërprerje, që përgjithësisht fillon në moshën 5, 6 ose 7 vjeç. Në disa vende pjesa e sipërme e kësaj  shkalle arsimore përbëhet nga programe të organizuara pjesërisht në punë dhe pjesërisht në shkollë dhe universitet.
Arsimi jopublik (joformal, privat) është arsmi që nuk i korrespondon me saktësi përkufizimit të arsimit formal, zyrtar. Ky arsim mund të merret si brenda dhe jashtë institucionit arsimor dhe i shtrirë për të gjitha moshat. Kursi (në sistemin e shkollave të rregullta) është një seri e caktuar eksperimentesh që mësohen me një shtrirje të veçantë të çështjeve ose aftësi të ofruara nga një agjenci sponsorizimi dhe të ndërmarra nga një ose më shumë studentë.
Arsimimi i grup-moshës përkatëse të popullsisë, është niveli arsimor i grup-moshës së popullsisë të moshës së shkollës i cili  shprehet në përqindje dhe përftohet si raport i numrit të nxënësve të regjistruar në nje nivel të caktuar arsimi  me popullsinë përkatese të grup-moshës .
Pikët e kreditit, është një sistem i ri vlerësimi për matjen e ngarkesës mësimore në orë që një student i Shkollës së Lartë plotëson detyrimet për çdo lëndë, pra puna e studentit në auditor, bibliotekë, shtëpi, provime e veprimtari të tjera, e matur në orë, të quajtura "Pikë Krediti". Nga ana cilësore përvetësimi i dijeve matet me notën, nga ana sasiore niveli përcaktohet me pikët e kreditit. Kjo i lejon studentit të fitojë kualifikime dhe të kryejë studime në institucione të ndryshme.

Arsimi

RSS për këtë temë