Rajonet

Statistikat rajonale përmbajnë informacione për popullsinë dhe projeksionet e popullsisë së Shqipërisë, statistika juridike, të dhëna për arsimin, të dhëna për tregun e punës, statistika për konsumin, për treguesit ekonomik, si edhe për transportin, turizmin dhe lejet e ndërtimit.  Këto të dhëna gjenden në bazë qarku.

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Blv. Zhan d'Ark, nr. 3
Tiranë, 1001
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

NUTS dhe rajonet statistikore në Shqipëri

Nomenklatura e Ndarjes Territoriale për Qëllime Statistikore (NUTS), në frëngjisht ‘Nomenclature d’Unités Territoriales Statistiques’ është një nomenklaturë gjeografike që e ndan territorin e Bashkimit Evropian në rajone sipas tre niveleve të ndryshme (përkatësisht NUTS 1, 2 dhe 3), duke lëvizur nga njësitë territoriale më të mëdha drejt atyre më të vogla. NUTS është bazuar në Rregulloren 1059/2003 për krijimin e një klasifikimi të përbashkët të njësive territoriale për statistikat, të miratuar në vitin 2003 dhe të ndryshuar në vitet e mëvonshme për ta shtrirë sistemin NUTS në vendet e reja anëtare. Kur një shtet i ri i bashkohet BE-së, territori i tij organizohet në rajone statistikore që i korrespondojnë ndarjeve NUTS.

Klasifikimi NUTS e ndan territorin e shteteve anëtare në njësi territoriale. Ai i përcakton çdo njësie territoriale një kod dhe një emër të veçantë. Klasifikimi NUTS është hierarkik; ndan çdo shtet anëtar në njësi territoriale në nivelin NUTS 1 dhe më pas kjo ndan secilën prej tyre në njësinë territoriale NUTS 2 dhe më pas ndjekur nga ndarja në njësi territoriale NUTS 3. Në çdo shtet anëtar mund të ketë nivele të tjera hierarkike të detajuara, sipas vendimit të vetë shtetit anëtar, për të nënndarë më tej nivelin e rajoneve NUTS 3.

Qëllimi kryesor i ndarjes së vendit në zona NUTS është për të krijuar një klasifikim të përbashkët statistikor të njësive territoriale dhe për të mundësuar mbledhjen, përpunimin dhe shpërndarjen e statistikave rajonale të harmonizuara në Komunitetin evropian.

Njësitë ekzistuese administrative brenda shteteve anëtare përbëjnë kriterin e parë të përdorur për përcaktimin e njësive territoriale. Për këtë qëllim, “njësia administrative” është një vend gjeografik me një autoritet administrativ që ka kompetencën për të marrë vendime administrative apo politike për atë zonë, brenda kuadrit ligjor dhe institucional të vendit anëtar.

Parimet kryesore për klasifikimin NUTS janë:

- Rregullorja NUTS përcakton kufirin minimal dhe maksimal të popullsisë për madhësinë e rajoneve NUTS. Pavarësisht nga qëllimi për të siguruar se rajonet me madhësi të krahasueshme shfaqen të gjitha në të njëjtin nivel NUTS, secili nivel ende përmban rajone të cilat ndryshojnë në masë të madhe në aspektin e popullsisë.

- Klasifikimi NUTS favorizon ndarjet administrative (si kriter normativ). Për arsye praktike klasifikimi NUTS është i bazuar në ndarjen administrative të aplikuar në shtetet anëtare, që në përgjithësi përfshin dy nivele kryesore rajonale. Niveli i tretë shtesë është krijuar duke bashkuar njësi të vogla administrative.

- NUTS favorizon njësitë e përgjithshme gjeografike.

Për të përcaktuar nivelin NUTS përkatës në të cilin duhet të klasifikohet një klasë e caktuar e njësive administrative të një shteti anëtar, madhësia mesatare e kësaj klase të njësive administrative në shtetin anëtar duhet të qëndrojë brenda kufirit të popullsisë të identifikuar në rregulloren NUTS (personat që kanë vendbanimin e tyre të zakonshëm në atë zonë duhet të llogariten si popullsi e asaj zone).

Kufijtë e përdorur janë:

Niveli NUTS Numri minimal i popullsisë Numri maksimal i popullsisë

NUTS 1 3.000.000 7.000.000

NUTS 2 800.000 3.000.000

NUTS 3 150.000 800.000

Rregullorja NUTS është operative në kuadër të Sistemit Statistikor Evropian dhe po i shërben qëllimit të saj kryesor si një kornizë për statistikat rajonale në nivel evropian. Shtetet anëtare paraqesin statistika rajonale në EUROSTAT në përputhje me klasifikimin NUTS në disa fusha. Në disa fusha shtetet anëtare janë subjekt i një detyrimi ligjor për të paraqitur të dhëna në nivel rajonal, ndërsa në të tjera ata i paraqesin këto të dhëna sipas marrëveshjeve joformale. Shumica e të dhënave janë mbledhur në nivelin NUTS 2. Një numër i vogël i tabelave janë dhënë në nivelin më të detajuar NUTS 3.

Edhe pse klasifikimi NUTS është përcaktuar vetëm për shtetet anëtare të BE-së, rajonet statistikore përcaktohen përmes bisedimeve mes vendeve kandidate, vendeve potenciale kandidate dhe Eurostat-it. Në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, klasifikimi i rajoneve statistikore në vend u aprovua dhe ka hyrë në fuqi në prill 2011.

Shqipëria aktualisht është e ndarë në 3 rajone statistikore që i korrespondojnë nivelit NUTS 2, dhe në 12 qarqe që i korrespondojnë nivelit NUTS 3. Të 12 qarqet e nivelit 3 janë rajone administrative. Të 3 rajonet e nivelit 2 janë:

- Rajoni Verior që përfshin qarqet Dibër, Durrës, Kukës, Lezhë dhe Shkodër

- Rajoni Qendror përbëhet nga qarqet Elbasan dhe Tiranë

- Rajoni Jugor përfshin qarqet Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë

Klasifikimi i BE-së për rajonet si urbane, të ndërmjetme dhe rurale, është bazuar në klasifikimin zyrtar territorial të Shqipërisë për qëllime statistikore të përmendur më lart.