Inovacioni

INSTAT ka kryer për periudhën referuese 2018-2020 vrojtimin mbi aktivitetet e Inovacionit pranë ndërmarrjeve me 10 ose më shumë të punësuar. Ndërmarrje inovative quhet ajo ndërmarrje që gjatë periudhës referuese prezantoi një inovacion produkti/procesi biznesi, ose kishte aktivitete të braktisura apo të papërfunduara inovacioni.

Gjatë periudhës 2018-2020, 36,6 % e ndërmarrjeve të vrojtuara kryen një aktivitet Inovacioni. Aktiviteti i Inovacionit rezulton më i lartë në ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve (seksionet G, H, J, K, M të NVE Rev. 2) me 41,0 %, krahasuar me ndërmarrjet në sektorin e Industrisë (B, C, D, E të NVE Rev. 2) me 32,1 % (Tab.1). Krahasuar me të dhënat e vrojtimit të mëparshëm të inovacionit me periudhë referuese 2017-2019, aktiviteti i inovacionit u ul me 1,7 % (nga 38,3 % në 36,6 %). Kjo rënie u vu re në ndërmarrjet në sektorin e industrisë dhe në atë të shërbimeve me përkatësisht 2,0 % dhe 1,3 %. Aktitiveti i inovacionit rezultoi më i pranishëm në grupin e ndërmarrjeve të mëdha, me mbi 250 të punësuar me 68,2 %.

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Aktiviteti i inovacionit në ndërmarrje, 2019-2021

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Vrojtimi statistikorë mbi aktivitetin e Inovacionit kryhet një herë në dy vite dhe periudha e vëzhgimit mbulon një periudhë tre-vjeçare. Vrojtimi ofron informacion të krahasueshëm mbi ndërmarrjet që zhvillojnë aktivitete inovacione produktesh dhe procesesh biznesi të prezantuara nga ndërmarrjet në Shqipëri.

Konceptet e inovacionit janë modifikuar pasi inovacioni aktualisht analizohet sipas inovacioneve të produktit dhe procesit (duke përfshirë inovacionin organizativ dhe të marketingut).

Vrojtimi mbi aktivitetet e Inovacionit në ndërmarrje kryhet në të gjitha vendet evropiane dhe bazohet në përkufizime të harmonizuara ndërkombëtarisht, ky vrojtim lejon krahasime midis vendeve të ndryshme të rajonit, BE-së (27) si dhe Zvicrës, Norvegjisë dhe Islandës. Ai lejon një analizë ekonomike të aktiviteteve të inovacionit dhe drejton më mirë politikën e inovacionit, si në Shqipëri ashtu edhe në Evropë.

Sistemi i klasifikimit

Klasifikimi i përdorur në statistikat e Inovacionit në ndërmarrje është: Klasifikimi Statistikor i Aktiviteteve Ekonomike (NVE Rev. 2)

Mbulimi i sektorit

Njësitë e vëzhguara janë të gjitha ndërmarrjet e sektorit jo-financiar dhe financiar me 10 ose më shumë të punësuar të angazhuar kryesisht në seksionet dhe ndarjet e mëposhtme të NVE Rev.2:

  • (B) Industri nxjerrëse,
  • (C) Industri Përpunuese,
  • (D) Energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar,
  • (E) Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve,
  • (G46) Tregtia me shumicë, përveç automjeteve dhe motorçikletave
  • (H) Transporti dhe Magazinimi,
  • (J) Informacioni dhe Komunikacioni,
  • (K) Aktivitete financiare dhe të sigurimit,
  • (M71-73) Aktivitete arkitekture dhe inxhinierike; aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike, Kërkim dhe zhvillim shkencor, Publiciteti dhe kërkimet e tregut.

Njësia statistikore

Popullata statistikore përfshin të gjitha ndërmarrjet aktive në Shqipëri, të të gjitha formave ligjore. Baza e zgjedhjes janë të gjitha ndërmarrjet ku sipas Regjistrit Statistikor të Ndërmarrjeve (RSN), janë aktive në Dhjetorin e vitit referencë për aktivitet që mbulon ky vrojtim, duke përjashtuar:

  • Njësitë lokale
  • Ndërmarrjet që kanë kodin e aktivitetit ekonomik kryesor (NVE) jashtë qëllimit të këtij vrojtimi.
  • Ndërrmarrjet me më pak se 10 të punësuar.

 

Legjislacioni

Baza ligjore në nivel kombëtar për prodhimin e indikatorëve për statistikat e Inovacionit në Ndërmarrje janë:

  • Ligji Nr. 17/2018 "Për Statistikat Zyrtare"
  • Programi i Statistikave Zyrtare 2017-2021

Baza ligjore përkatëse në nivel Evropian konsiston në:

  • Vendimi Nr. 1608/2003 / KE i Parlamentit Evropian dhe i Këshillit i 22 korrikut 2003 në lidhje me prodhimin dhe zhvillimin e statistikave të Komunitetit për shkencën dhe teknologjinë;
  • Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) Nr. 995/2012 e 26 Tetorit 2012 që përcakton rregullat e hollësishme për zbatimin e Vendimit Nr. 1608/2003 / KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit në lidhje me prodhimin dhe zhvillimin e statistikave të Komunitetit për shkencën dhe teknologjinë
  • Manuali Oslo 2018, botimi i katërt.

 

Përkufizime

Kufiri midis inovacioneve teknologjike dhe joteknologjike po bëhet gjithnjë e më i ngushtë. Si rezultat, botimi i 4-të i Manualit të Oslos (tetor 2018) aktualisht përfshin vetëm dy llojet e mëposhtme të inovacioneve:

Inovacion produkti: Është implementimi i një malli apo shërbimi që është i ri ose i përmirësuar dhe që ndryshon ndjeshëm nga mallrat ose shërbimet e mëparshme të ndërmarrjes. Ai përfshin ndryshime të rëndësishme të konstruktit të mallrave. Përjashtohen rishitjet e thjeshta të mallrave të reja dhe ndryshimet e një natyre vetëm estetike.

Inovacion procesi biznesi: Është një proces biznesi i ri ose i përmirësuar për një ose më shumë funksione biznesi që ndryshon ndjeshëm nga proceset e mëparshme të biznesit të ndërmarrjes dhe i cili është zbatuar brenda firmës. Inovacionet e procesit të biznesit përfshijnë metoda të reja ose të përmirësuara për: prodhimin e mallrave ose ofrimin e shërbimeve; shpërndarjes, furnizimit ose logjistikës; komunikimin dhe përpunimin e informacionit; kontabilitetit dhe operacioneve të tjera administrative; praktika biznesi për organizimin e procedurave ose marrëdhënieve me jashtë; organizimit të përgjegjësisë në punë, vendimmarrjes dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, marketingut për promovim, paketim, çmim, vendosje të produktit ose shërbime pas shitjes.

Në botimin e 3-të të Manualit të Oslos, i. e. për anketat e Inovacionit deri në 2016, dalloheshin 4 lloje të inovacionesh:

Inovacion produkti: është implementimi i një produkti, malli apo shërbimi që është i ri ose i përmirësuar dukshëm në lidhje me karakteristikat apo përdorimin e pritur të saj/tij. Kjo përfshin përmirësime të dukshme në specifikimet teknike, komponentët dhe materialet, software-in e inkorporuar apo karakteristika të tjera funksionale.

Inovacion procesi: është implementimi i një metode prodhimi ose shpërndarjeje të re apo të përmirësuar dukshëm. Kjo përfshin ndryshimet e dukshme në teknika, pajisje dhe/ose software.

Inovacioni organizativ: është zbatimi i një metode të re organizative në praktikat e një ndërmarrjeje, në mënyrën e organizimit të vendit të punës ose marrëdhënieve të jashtme.

Inovacion marketingu: është zbatimi i një metode të re marketingu ose kryerja e ndryshimeve domethënëse në dizenjimin e produktit apo ambalazhimin e tij (duke përjashtuar ato ndryshime që vijnë si pasojë e ndryshimeve rutinë/sezonale), vendosjen e produktit, promovimin apo çmimin e këtij të fundit.

Një inovacion: Është një produkt ose proces i ri ose i përmirësuar (ose kombinimi i tyre) që ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga produktet ose proceset e mëparshme të njësisë dhe që është vënë në dispozicion të përdoruesve të mundshëm ose është sjellë në përdorim nga njësia.

Ndërmarrje aktive në inovacion: Një ndërmarrje e angazhuar gjatë periudhës së vëzhgimit në një ose më shumë aktivitete për të zhvilluar ose prezantuar produkte të reja ose të përmirësuara ose procese biznesi për një përdorim të synuar. Gjatë periudhës së vrojtimit mund të jenë aktive në inovacionit si ndërmarrjet novative apo ndërmarrjet jo-novative.

Inovacionet duhet të jenë të reja për ndërmarrjen në fjalë, por jo domosdoshmërisht duhet të jenë të reja në treg, d.m.th. ndërmarrja nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht e para që ka prodhuar këto produkte (mallra ose shërbime) ose ka futur këto procese biznesi.

Aktiviteti i inovacionit: Përfshin të gjitha aktivitetet zhvillimore, financiare dhe tregtare, të ndërmarra nga një ndërmarrje, të cilat synojnë ose rezultojnë në një inovacion.