Llogaritë Kombëtare (GDP)

Llogaritë Kombëtare pasqyrojnë zhvillimet makro-ekonomike të një vendi dhe i ofrojnë përdoruesve tregues kryesor dhe informacion bazë për zhvillimin ekonomik të tij. Ato tregojnë se sa është kapaciteti prodhues i vendit, sa konsumohet, investohet dhe shkëmbehet me vendet e tjera të botës.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) përfaqëson vlerën totale në para, të të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuara gjatë një periudhe specifike nga njësitë prodhuese rezidente brenda territorit ekonomik të një vendi.

Metodat kryesore të llogaritjes së PBB-së janë:
- Metoda e Prodhimit;
- Metoda e Shpenzimeve;
- Metoda e të Ardhurave.

INSTAT kryen vlerësimin e PBB-së vetëm sipas metodës të prodhimit e të shpenzimeve me çmime korente dhe konstante.

Raporti i Cilësisë

Llogaritë Kombëtare pasqyrojnë zhvillimet makro-ekonomike të një vendi dhe i ofrojnë përdoruesve tregues kryesor dhe informacion bazë për zhvillimin ekonomik të tij. Ato tregojnë se sa është kapaciteti prodhues i vendit, sa konsumohet, investohet dhe shkëmbehet me vendet e tjera të botës.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) përfaqëson vlerën totale në para, të të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuara gjatë një periudhe specifike nga njësitë prodhuese rezidente brenda territorit ekonomik të një vendi.

Metodat kryesore të llogaritjes së PBB-së janë:
- Metoda e Prodhimit;
- Metoda e Shpenzimeve;
- Metoda e të Ardhurave.

INSTAT kryen vlerësimin e PBB-së vetëm sipas metodës të prodhimit e të shpenzimeve me çmime korente dhe konstante.

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Produkti Brendshëm Bruto, T3 - 2017

Kalendari

DataStatistikaPeriudha
29-12-2017 Produkti Brendshëm BrutoT3-2017
Na kontaktoni
Blv. Zhan d'Ark, nr. 3
Tiranë, 1001
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

PBB me metodën e prodhimit

Vlerësimi i PBB-së me metodën e prodhimit mund të përmblidhet në dy hapa. Në hapin e parë, Vlera e Shtuar Bruto (VSHB) me çmimet bazë për të gjitha degët e aktiviteteve ekonomike vlerësohet si diferencë midis prodhimit me çmimet bazë dhe konsumit ndërmjetës me çmimet e tregut duke zbritur nga secila degë vlerën e Shërbimeve Ndërmjetësuese Financiare të Matura Indirekt (termi anglisht: FISIM). Në hapin e dytë, vlerës së shtuar bruto të të gjitha degëve në total i shtohen taksat mbi produktet dhe i zbriten subvencionet mbi produktet duke përftuar në këtë mënyrë PBB-në me çmimet e tregut.

Treguesi i rritjes reale të PBB-së është ndër treguesit më të rëndësishëm të sistemit të Llogarive Kombëtare. Për llogaritjen e tij është e nevojshme llogaritja e PBB-së me çmime konstante.

PBB sipas metodës së prodhimit me çmime konstante matet si shumë e vlerës së shtuar të të gjitha aktiviteteve ekonomike me çmime konstante plus taksat minus subvencione mbi produktet me çmime konstante.

Tabela e mëposhtme paraqet komponentët kryesorë të PBB-së me metodën  e prodhimit.

gdp tab

PBB me metodën e shpenzimeve 

Vlerësimi i PBB-së me metodën e shpenzimeve përfshin lidhjen ndërmjet 4 sektorëve të ekonomisë: Familjeve, Ndërmarrjeve, Qeverisë dhe Sektorit të Jashtëm. Duke qënë se PBB mat prodhimin e të gjithë ekonomisë së një vendi, ajo mund të matet gjithashtu duke mbledhur të gjithë shpenzimet e realizuara nga të katër këta sektorë. Përdorimi i kësaj metode është quajtur metoda e Shpenzimeve, e cila bazohet në ekuacionin:

GDP = C + I + G + NX

Nga ky ekuacion përftojmë vlerën e PBB-së nominale (me çmime korrente), e cila axhustohet me indeksin e çmimeve duke na dhënë vlerën e PBB-së reale (me çmimet e vitit të mëparshëm), si treguesi më i rëndësishmi për përcaktimin e rritjes në volum të PBB-së vjetore.

tabela 1 gdp


Metodologjia

Llogaritjet e PBB-së mbështeten metodologjikisht në konceptet bazë të Sistemit Evropian të Llogarive (ESA 2010) dhe të Sistemit të Llogarive Kombëtare (SNA 2008) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Të dyja këto metodologji janë përditësimet më të fundit të ESA 1995 dhe SNA 1993.

Sistemi Evropian i Llogarive Kombëtare dhe Rajonale (ESA 2010) është korniza më e re e llogarive EU e përshtatshme ndërkombëtarisht e cila siguron një përshkrim sistematik e të detajuar të ekonomisë. ESA 2010 është implementuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në shtator të vitit 2014.

Për më tepër: http://ec.europa.eu/eurostat/web/products-manuals-and-guidelines/-/KS-02-13-269

ESA 2010 ndryshon në qëllim dhe koncepte nga paraardhësi ESA 95 duke reflektuar zhvillimet në matjen e ekonomisë moderne, kërkime të avancuara metodologjike dhe kërkesat e përdoruesve. Një përshkrim të ndryshimeve si dhe ndikimi i secilit ndryshim në llogaritë kombëtare paraqitet në Manualin e ndryshimeve midis ESA 95 dhe ESA 2010.

Manuali është i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të përpiluar të dhëna të besueshme dhe njëkohësisht të krahasueshme midis vendeve të BE.

Për më tepër: http://ec.europa.eu/eurostat/en/web/products-manuals-and-guidelines/-/KS-GQ-14-002

Në këtë kuadër edhe Shqipëria si vend me status kandidat ka nisur implementimin e ESA 2010 që gjatë vitit 2014. Llogaritë Kombëtare kanë vënë në zbatim disa prej ndryshimeve të reja metodologjike si:

-        Zgjerimin e vlerësimeve për sektorin financiar duke përfshirë të gjithë institucionet financiare për të cilat disponohen të dhëna bazuar në klasifikimin e ri të ESA 2010 dhe SNA 2008.

-        Aplikimin e metodës së re për llogaritjen e shërbimeve të ndërmjetësimit financiar të matura indirekt (FISIM). 

-        Vlerësimin e prodhimit të Bankës së Shqipërisë bazuar mbi dallimin që duhet bërë midis prodhimit të tregut dhe jo të tregut sipas SNA 2008/ESA 2010.

-        Rishikimin e përkufizimit për prodhimin e kompanive të sigurimit të cilat ofrojnë sigurim jo-jete.

-        Zbatimet Metodologjike në kuadër të ESA 2010 për vlerësimin e treguesve të Shpenzimeve (trajtimi i Konsumit final të Familjeve sipas COICOP 2 shifror, Trajtimi i Formimit Bruto të kapitalit fiks sipas llojeve të aseteve,etj. )

Klasifikime

Klasifikimet janë thelbësore për prodhimin, përpilimin dhe shpërndarjen e statistikave. Klasifikimet përditësohen herë pas here për të reflektuar zhvillimet ekonomike, teknologjike dhe ndryshimet strukturore të ekonomisë e për të mundësuar krahasimin dhe lidhjen e të dhënave në nivel evropian dhe në përgjithësi, në atë botëror si pjesë e një sistemi të integruar.

Klasifikimet e përdorura në Llogaritë Kombëtare janë:

-          Nomenklatura e veprimtarive ekonomike Rev.2 (NVE Rev.2).

-          Nomenklatura e produkteve (NP);

-          Klasifikimi i konsumit individual sipas përdorimit (COICOP);

-          Klasifikimi i shpenzimeve te qeverise sipas funksionit (COFOG).

Burimet e të dhënave

Për vlerësimet e PBB-së përdoret informacioni i siguruar nga burime të ndryshme statistikore dhe administrative. Të dhënat e përdorura mund të jenë prodhim statistikor i vetë INSTAT ose i institucioneve të ndryshme kombëtare si Ministritë, Drejtoritë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe të tjera. Duke krahasuar këto burime me njëra-tjetrën, arrihet të prodhohet një pamje e vetme e ekonomisë e cila është gjithëpërfshirëse, konsistente, koherente dhe tërësisht e integruar.

Burimet statistikore përfshijnë të dhënat e siguruara nga regjistrime dhe anketa të ndryshme mbi njësitë ekonomike ose familjet, ndër të cilat mund të përmendim:

-          Regjistri i Ndërmarrjeve;

-          Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave;

-          Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve;

-          Anketa e Tregtisë me Pakicë;

-          Anketa e Buxhetit të Familjeve;

-          Anketa e Forcave të Punës;

-          Anketa të Matjes së Nivelit të Jetesës;

-          Anketa të Statistikave të Çmimeve.

Burimet administrative përfshijnë të dhëna administrative të mbledhura nga institucione të tjera për qëllime të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim:

-          Pasqyrat financiare vjetore;

-          Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH);

-          Statistika financiare monetare;

-          Bilanci i Pagesave;

-          Statistika fiskale të qeverisë;

-          Statistika të tregtisë së jashtme;

-          Të dhëna mbi energjinë elektrike dhe të produkteve energjitike;

-          Etj.

Fazat e publikimit dhe Politikat revizionuese

Vlerësimet e PBB-së vjetore kalojnë në tre faza llogaritjesh dhe publikimesh.

-         Faza e parë është llogaritja paraprake vjetore e PBB-së të vitit (t) sipas të dyja metodave brenda njëmbëdhjetë muajve pas përfundimit të vitit (t+11) dhe bazohet në burime të të dhënave paraprake të Anketës Vjetore Strukturore pranë Ndërmarrjeve dhe burime administrative.

-         Faza e dytë përfshin vlerësimet gjysëm-finale të llogarive vjetore të PBB-së të vitit (t) brenda gjashtë muajve pas vlerësimit paraprak (t+17). Llogaritjet gjysëm-finale bazohen në burime të dhënash më të plota dhe si rrjedhojë pothuajse tërësisht në metoda të drejtpërdrejta.

-         Faza e tretë përfshin vlerësimet finale të PBB-së të vitit (t). Në këtë fazë të tretë rishikohen dhe njëherë të dhënat e vitit (t) kur vjen seti i të dhënave për vitin (t+1) me qëllim që të përfshihet çdo ndryshim i bërë për vitin (t) dhe të sigurohet konsistenca midis dy viteve të njëpasnjëshëm. Gjatë kësaj faze bëhet dhe balancimi final në nivel produkti midis dy metodave të PBB-së.

Të dhënat e publikuara revizionohen mbështetur në politikat revizionuese të llogarive kombëtare. Vlerësimet vjetore të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe komponentëve të tij janë subjekt i dy tipeve të revizionimit: të zakonshme dhe rastësore.

Revizionime të zakonshme:

Revizionimet e zakonshme vjetore vijnë si rezultat i përditësimeve të burimeve ekzistuese vjetore me të dhëna më të fundit për një vit të caktuar "t". Vlerësimi i PBB-së së një viti "t" kalon në tre etapa derisa arrin vlerësimi final i tij. Vlerësimi i parë paraprak me baza vjetore të PBB-së (paraprake/flesh) (viti t) është njëmbëdhjetë muaj (në fillim të Dhjetorit të vitit (t+1)).  Vlerësimi mbështetet në të dhënat paraprake nga anketat dhe në disa raste në burime të tjera administrative. Një vlerësim i tillë rishikohet pas gjashtë muajsh në mënyrë që të marrim një vlerësim gjysëm-final i mbështetur në burime më të plota dhe të përditësuara informacioni. Në këtë moment rishikohen gjithashtu edhe vlerësimet e vitit të kaluar (t-1) për t'i kaluar nga vlerësime gjysëm-finale në finale.

Revizionimet të veçanta:  

Revizionimet e veçanta vijnë si rezultat i përfshirjes së burimeve të reja të të dhënave statistikore e administrative dhe përmirësimi i atyre ekzistuese; përmirësimit të teknikave statistikore dhe metodave të përpilimit të të dhënave për Llogaritë Kombëtare; ndryshimit të metodologjisë për shkak të standarteve të reja të Sistemit të Llogarive Kombëtare (SNA dhe ESA).

Përkufizime

Prodhimi (Output)

Aktivitet i ushtruar nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një njësie institucionale që kombinon burimet në fuqi punëtore, kapital dhe produkte e shërbime për të prodhuar produkte ose kryer shërbime. Proceset e pastra natyrore pa ndërhyrjen ose kontrollin e njeriut nuk bëjnë pjesë në prodhim. Ekzistojne tre lloje të prodhimit: prodhim tregu; prodhim i prodhuar për konsum final vetjak dhe prodhim tjetër jo-tregu.

Konsumi ndërmjetës

Vlera e produkteve ose shërbimeve të transformuara ose plotësisht të konsumuara gjatë procesit të prodhimit. Përdorimi i aktiveve fikse të vëna në punë nuk merret parasysh; ai evidentohet në konsumin e kapitalit fiks.

Vlera e shtuar bruto

Vlera e shtuar bruto përfaqëson kontributin e aktiviteteve të ndryshme në PBB dhe llogaritet si diferencë midis prodhimit dhe konsumit të ndërmjetëm.

Taksat mbi produktet dhe importin

Taksat mbi produktet janë taksat e pagueshme për njësi të disa mallrave dhe shërbimeve si: Taksa mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), akciza dhe taksa doganore mbi importet.

Subvencione në produkte dhe importe

Subvencionet në produkte janë pagesat e pakthyeshme që njësitë e administratës publike bëjnë tek ndërmarrjet si një shumë e caktuar parash për njësi të një malli ose shërbimi. Subvencionet në importe konsistojnë në subvencionimin e mallrave ose shërbimeve që bëhen të pagueshme kur malli kapërcen kufirin e territorit ekonomik ose kur shërbimet i janë kaluar njësive institucionale rezidente

FISIM

Disa institucione ndërmjetësuese financiare ofrojnë shërbime për të cilat ato nuk tarifojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë klientët e tyre. Vlera e këtyre shërbimeve ndërmjetësuese financiare matet në mënyrë indirekte mbi kreditë dhe depozitat dhe quhet FISIM. Vlerësimi i FISIM për secilin sektor llogaritet si diferencë midis normës së interesit të marrë nga depozitat dhe të paguar për kreditë me normën e brendshme referencë të interesit, shumëzuar me stokun përkatës të depozitave dhe kredive. Vlera e prodhimit të FISIM-it është shpërndarë sipas aktiviteteve ekonomike dhe sektorëve institucionale.

Çmim bazë

Shuma që prodhuesi merr nga blerësi për njësi të produktit apo shërbimit të prodhuar, pa tatimet dhe subvencionet mbi produktin. Çmimi bazë përjashton shpenzimet e transportit të faturuara më vete.

Çmim tregu

Është çmimi bazë pasi shtohen taksat mbi produktet minus subvencionet mbi produktet. 

Çmime korente

Çmimet e periudhës referuese. Ato përfaqësojnë çmimin e paguar për të mirat dhe shërbimet në kohën e prodhimit ose të konsumit.

Çmime konstante

Çmime konstante janë në vlerë reale pra të korrigjuara për ndryshimet në çmime në lidhje me një vit bazë. Ato janë një mënyrë për të matur ndryshimin real në prodhim.

Rritja reale

Tregues që përdoret për të krahasuar ndryshimet në volum të PBB-së dhe komponentëve të tij të një periudhë me një periudhë tjetër.

Konsumi Final

Konsumi Final është një nga komponentët kryesore të PBB-së me metodën e shpenzimeve. Konsumi Final konsiston ne shpenzimet për të mirat dhe shërbimet të përdorura nga familjet individuale ose komunitetet dhe llogaritet si shumë e konsumit final të familjeve, konsumit final të administratës publike dhe konsumit final të Institucioneve Jo-Fitimprurëse që i shërbejnë familjeve (IJFSF).

Konsumi final i familjeve

Konsumi final i familjeve, përbëhet nga shpenzimet totale të mallrave dhe shërbimeve nga ana e familjeve rezidente për të plotësuar kërkesat e tyre individuale.

Konsumi final i administratës publike dhe IJFP

Përmban vlerën e shërbimeve jo-tregtare të siguruara nga administrata publike dhe nga institucionet jo-fitimprurëse në përfitim të komuniteteve ose grupe familjesh. Kjo llogaritet si diference midis prodhimit të administratës publike dhe IJFP dhe vlerës së tyre të prodhimit tregtar.

Eksporti neto

Eksporti neto llogaritet si diferencë midis eksportit të mallrave dhe shërbimeve (f.o.b) dhe importit të mallrave dhe shërbimeve (f.o.b). 

Formimi Bruto i Kapitalit Fiks

Formimi i bruto kapitalit fiks (FBKF), përbëhet nga investimet e prodhuesve vendas dhe blerjet minus shitjet, të aseteve fikse gjatë një periudhe të caktuar. Ajo gjithashtu përfshin shtesa të caktuara për vlerën e aseteve jo-prodhuese të realizuara nga aktiviteti prodhues apo njësitë institucionale. Asetet fikse janë asete të prekshme apo të paprekshme të përdorura në prodhim për më shumë se një vit. 

Ndryshimi i gjendjeve

Përcaktohet si diferencë midis gjëndjeve të inventarit dhe në proces të aktiveve qarkulluese në fund dhe në fillim të vitit. Gjëndjet përfshijnë: materiale të para dhe materiale të tjera; prodhime, punime shërbime në proces; produkte të gatshme e gjysëm të gatshme, mallra, kafshë, etj.

Part A - GNI compilation – Albania

PART B - Price and volume measures - Albania

Implementimi i ESA 2010 dhe NVE Rev.2 në Llogaritë Kombëtare Vjetore

PBB-ja tremujore vlerësohet duke përdorur metodën e prodhimit dhe vlerëson komponentët kryesorë të PBB-së tremujore me metodën e shpenzimit. PBB publikohet 90 ditë pas përfundimit të tremujorit referencë.

Llogaritjet e PBB-së tremujore në korente dhe konstante janë konsistente me Llogaritë Kombëtare Vjetore si dhe janë të bazuara në të njëjtat koncepte dhe parime. Të dhënat tremujore që janë përdorur për vlerësimin e PBB-së tremujore janë kryesisht të dhëna administrative si dhe të dhëna të marra nga anketat tremujore që kryhen nga INSTAT. Këto seri janë gjithmonë subjekt i revizionimeve të ardhshme, gjë e cila lidhet me përmirësimin dhe shtimin e informacionit në kohë.

Publikimi i serive tremujore ka si objektiv kryesor që të japë një vlerësim koherent për ecurinë e ekonomisë. Këto seri përfshijnë vlerësime të PBB-së tremujore me çmime konstante (ndryshimet në volum të PBB-së tremujore), në të cilin përfshihen në vlerësim taksat dhe subvencionet (taksat neto) mbi produktet. Llogaritjet me çmime konstante janë të shprehura me çmimet mesatare të vitit të mëparshëm dhe të lidhur-zinxhir (chain-linking), në vitin referencë, (2010=100). Vlerësimet për PBB-në tremujore janë bërë mbi të dhënat e pa zhveshura nga efektet sezonale si dhe mbi të dhënat e zhveshura nga efektet sezonale. Metoda që është përdorur për të vlerësuar PBB-në tremujore konsiderohet një metodë indirekte.

Konsiderohet si një metodë indirekte sepse të dhënat tremujore që disponohen përdoren për të vlerësuar vlerën e shtuar tremujore duke u bazuar në raportet që zënë këta tregues. Kjo metodë bazohet në supozimin se për periudhën të cilën po analizojmë, raporti midis vlerës së shtuar dhe prodhimit është konstant. Në disa degë specifike si Energjia elektrike, Administrata Publike, Arsimi, Shëndetësia dhe Aktivitetet financiare përdoret metoda direkte e cila bën vlerësime të prodhimit dhe konsumit ndërmjetës më vete, diferenca e të cilëve jep si rezultat vlerën e shtuar.

Vijueshmëria e llogaritjeve

Në metodën indirekte radha e llogaritjes mund të jetë e ndryshme, por ajo më e përdorura vijon si më poshtë:

  1. Mbledhja dhe plotësmi i të dhënave tremujore me çmime korrente dhe konstante nga burime të ndryshme të dhënash.
  2. Krijimi i serive kohore për të dhënat tremujore në mënyrë që periudhat e ndryshme të jenë të krahasueshme mes tyre.
  3. Kalibrimi (Benchmarking) i serive të të dhënave tremujore të pa zhveshura nga efektet sezonale, me serinë e të dhënave vjetore, veç e veç për seritë me çmimet korrente dhe konstante.
  4. Agregimi i të dhënave tremujore e më pas eliminimi i efekteve sezonale të tyre, veç e veç për seritë me çmimet korrente dhe konstante.

Vlen për tu theksuar fakti që shuma e katër tremujorëve të zhveshur nga efektet e sezonalitetit jo domosdoshmërisht duhet të jetë e barabartë me vlerën vjetore të PBB- së. Kjo vjen për praninë e efekteve sezonale që kanë të pranishme seritë tremujore.

Vlerësimi me çmime konstante

Llogaritë Kombëtare Tremujore, për të patur një qasje më të mirë me Llogaritë Kombëtare Vjetore dhe duke iu përmbajtur ESA 2010, vlerësojnë treguesit e volumit të serive kohore tremujore duke i vlerësuar me çmimet mesatare të vitit të mëparshëm dhe të lidhur-zinxhir (chain-linking), në vitin referencë, (2010=100).

Procedura e përgjithshme e vlerësimit të treguesve të volumit të serive kohore tremujore ndjekin këto hapa: Se pari, treguesit me çmime korrente janë konvertuar në çmimet mesatare të vitit të kaluar duke përdorur indekset përkatëse të çmimeve. Në vijim, treguesit e vlerësuar me çmimet mesatare të vitit të kaluar janë lidhur-zinxhir (chain-linking), në vitin referencë, (2010=100), me qëllim që të sigurohet një seri kohore e krahasueshme në terma volumi. Kjo metodë është prezantuar për herë të parë gjatë publikimit të tremujorit të parë të 2014. Më parë, janë llogaritur me  metodë tjetër, ku të dhënat me çmime korente ktheheshin në çmime konstante me vit bazë (viti bazë ishte 2005).

Lidhja-zinxhir (chain-linking) e serive tremujore është kryer duke përdorur teknikën “Annual overlap”, pra shifra me çmime të vitit të mëparshëm janë qasur në nivelin e çmimeve mesatar të vitit referues të zgjedhur duke përdorur deflatorë vjetore. Kjo teknikë përdoret në shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Lidhja-zinxhir (chain-linking) nënkupton vlerësimin e treguesve të volumit për periudhën afatgjatë duke akumuluar ndryshimet e indekseve për periudhat afat shkurtra me bazë të ndryshme. Seritë kohore “chain-linking” të PBB-së tremujore me periudhën referuese fikse (2010=100) lejojnë periudhat e ndryshme të krahasohen në mënyrë konsistente dhe të sigurojë matjen e ndryshimeve afatgjata të volumeve. Megjithatë, përdoruesit duhet të jenë të vetëdijshëm për fenomenin që këto seri nuk mund të jenë të mbledhshme si shumë e komponentëve përbërës (non-additivity problem).

P.sh, në qoftë se seritë kohore tremujore të PBB-së tremujore me çmime korrente dhe me çmimet konstante mesatare të vitit të mëparshëm jane të mbledhshme (additive), ku PBB-ja totale është shumë e komponentëve, ndësa për seritë kohore “chain-linking” me periudhën referuese fikse (2010=100) PBB-ja totale nuk mund të mblidhet si shumë e komponentëve përbërës (non-additive).

Norma e rritjes reale, vleresohet duke përdorur seritë tremujore të lidhura-zinxhir (chain-linking), në vitin referencë (2010=100).

Procesi i Kalibrimit (Benchmarking)

Qëllimi kryesor i këtij procesi është që të sigurohet që llogaritë tremujore të jenë konsistente me llogaritë vjetore. Konsistenca midis këtyre dy llogarive mund të bëhet me çmime korrente dhe konstante, ku si vlerat tremujore ashtu dhe ato vjetore janë të shprehura me çmime të të njëjtit vit bazë. Është për tu theksuar fakti që ky proces ruan trendin e indikatorëve tremujorë duke dhënë në këtë mënyrë ndryshimet në volum të axhustuara

Kalibrimi i shifrave tremujore të PBB-së, është kryer duke përdorur programin XLPBM në excel. Ky program është zhvilluar nga FMN, dhe aplikon një sërë teknika matematikore dhe statistikore të cilat përdoren për kalibrimin e serive kohore tremujore me ato vjetore. Gjatë procesit të kalibrimit, mospërputhjet midis të dhënave tremujore dhe të dhënave vjetore minimizohen. Rezultati është arritja e konsistencës së të dhënave tremujore dhe vjetore, shuma e të dhënave tremujore është e barabartë me të dhënat vjetore për të gjitha vitet e kalibruara (benchmarking).

Zhveshja nga sezonaliteti

Një nga karakteristikat më të rëndësishme të serive tremujore është prania e sezonalitetit në to. Ekzistojnë dy mënyra për të eliminuar efektet sezonale nga seritë tremujore.

Mënyra indirekte:

Niveli i detajimit, në të cilin një seri është zhveshur nga sezonaliteti, është e rëndësishme pasi kjo ndikon në cilësinë e serisë. Seritë individuale të degëve të ndryshme të ekonomisë mund të zhvishen nga efektet sezonale dhe më pas të agregohen në degë më të mëdha. Kjo metodë konsiderohet si metodë indirekte. Metoda indirekte ka avantazhin se i ruan më mirë efektet sezonale të një serie individuale, por kjo vetëm me çmime korente sepse me çmime konstante ky efekt zbehet për shkak të ndikimit të indekseve zinxhir që krijohen.

Mënyra direkte:

Një mënyrë tjetër është që degët e ekonomisë të agregohen fillimisht në degë më të mëdha e më pas të zhvishen nga efektet sezonale. Kjo mënyrë është quajtur mënyra direkte e zhveshjes së efekteve të sezonalitetit.

Metoda direkte mund të japë rezultate më të mira nëse degët individuale të ekonomisë kanë efekte të ngjashme sezonale me njëra tjetrën. Sa më të detajuara të merren seritë e të dhënave aq më e madhe është diferenca midis faktorëve jo të rregullt të një serie dhe atyre të zhveshur nga sezonaliteti, gjë e cila mund të humbasë objektivin kryesor që kanë efektet sezonale.

Në një vend si Shqipëria ngjarjet jo të rregullta mund të kenë një ndikim të madh në të dhëna të caktuara. Gjithsesi nëse komponentët përbërës të një serie kanë të njëjtin sezonalitet, agregimi zbut efektet e komponentëve jo të rregullta. Kjo është domethënëse për rastin e Shqipërisë ku shumë seri ekonomike ndikohen nga fluktacionet e njëjta sezonale të një dege. INSTAT përdor mënyrën direkte për përshtatjen sezonale të serive kohore tremujore.

Programi që INSTAT përdor për përshtatjet sezonale të serive kohore është JDemetra+, metoda TRAMO/SEATS, ky program është zhvilluar nga EUROSTAT.

Politikat revizionuese

Një nga momentet më kryesore të serive të të dhënave tremujore janë revizionimet e tyre. Këto revizionime janë me frekuenca të ndryshme që në përgjithësi ndahen në tre grupe kryesore:

Revizionime Tremujore

Të dhënat që bëhen të disponueshme për tremujorin e fundit kanë efekt edhe në revizionimin e tremujorëve paraardhës sepse me ardhjen e të dhënave për tremujorin e fundit vijnë edhe një sërë të dhënash të përditësuara për tremujorët e mëparshëm si rezultat i përmirësimeve të tyre apo ndryshimeve administrative. Duhet theksuar fakti që të dhënat që përdoren për vlerësimin e PBB-së Tremujore janë kryesisht të dhëna administrative.

Futja e të dhënave të tremujorit të fundit në seri dhe më pas zhveshja e serisë së re nga efektet sezonale sjell edhe disa ndryshime për tremujorët e afërt të mëparshëm.

Revizionime Vjetore

Duke qenë se vlerësimi i PBB-së Tremujore mbështetet në të dhënat vjetore, ndryshimet që do të ndodhin në PBB Vjetore do të reflektohen dhe në seritë tremujore. Ndryshimet vjetore vijnë si rezultat i përmirësimeve të burimeve ekzistuese vjetore apo të përfshirjes së burimeve të reja. Vlerësimi i një viti kalon në tre etapa derisa arrin vlerësimi final i tij.

Ndryshimet që ndodhin në këto etapa reflektohen dhe në seritë tremujore. Efektet e ndryshimeve vjetore duke qenë se kanë një mospërputhje kohore relativisht të gjatë (vjetorja paraprake, del 11 muaj pasi viti ka përfunduar, vjetorja gjysmë finale del 17 muaj më vonë dhe finalja 29 muaj më vonë), japin një efekt më të madh dhe më të shtrirë në kohë në seritë tremujore.

Revizionime Metodologjike

Përgjithësisht këto lloj revizionimesh janë si pasojë e ndryshimeve ose përmirësimeve metodologjike që ndodhin si në Llogaritë Kombëtare Vjetore ashtu edhe në Llogaritë Kombëtare Tremujore që në të dy rastet do të kenë efektet e tyre në seritë tremujore. Gjithashtu këto lloj revizionimesh mund të vijnë dhe kur burime të reja të dhënash bëhen të disponueshme, të cilat do të zëvendësojnë ato të mëparshmet.

PART C-QNA compilation, Albania