Paritetet e Fuqisë Blerëse

Paritetet e fuqisë blerëse (PFB) janë tregues të dallimeve të nivelit të çmimeve ndërmjet vendeve. Ato tregojnë sa njësi monetare kushton një sasi e caktuar mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme. PFB-të mund të përdoren si norma konvertimi të monedhës për të kthyer shpenzimet e shprehura nga monedha kombëtare në një monedhë artificiale të përbashkët (Standardi i Fuqisë Blerëse, SFB), duke eliminuar në këtë mënyrë efektin e dallimeve të nivelit të çmimeve në të gjitha vendet.

Në veçanti, PFB-të mund të përdoren për të krahasuar Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) të vendeve të ndryshme të zhveshur nga efekti i ndryshimit të niveleve të çmimeve.

Burimi i të dhënave

Vrojtimet e Çmimeve të Konsumit (6 vrojtime), Çmimet e ndërtimit, Vrojtimi  Makineri dhe paisje, Vrojtimi i spitaleve, Vrojtimi i Qirave,  Vrojtimi i Hoteleve si dhe të dhëna të tjera shtesë.

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Blv. Zhan d'Ark, nr. 3
Tiranë, 1001
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al
  1. Karakteristikat kryesore të vrojtimit statistikor
  2. Të dhënat që përdoren
  3. Qëllimi i Vrojtimit dhe përdorimi i rezultateve
  4. Kufizimet në përdorimin e rezultateve
  5. Mbulimi
  6. Përkufizimet
  7. Polikika e publikimeve dhe shpërndarja
  8. Shpjegime të tjera metodologjike

Karakteristikat kryesore të vrojtimit statistikor

Pariteti i Fuqisë Blerëse (PFB) dhe Produkti i Brendshëm Bruto në Standartin e Fuqisë Blerëse (PBB në SFB) janë rezultat i vrojtimeve statistikor ndërkombetar, të kryera bashkarisht nga institucionet statistikore të vendeve pjesmarrëse dhe nga një apo më shumë institucione ndërkombëtare. Shumica e vendeve Europiane marrin pjesë në vrojtimet statistikore të koordinuara dhe të udhëhequra nga Eurostat. Eurostat, së bashku me kontraktoret, përgatit dhe koordinon vrojtimet dhe llogarit rezultatet për Vendet Anëtare të BE-së, vendet kandidate të BE-së, vendet anëtare të  EFTA-s dhe katër vendet e Ballkanit Perëndimor. Aktualisht në vrojtimet e Eurostatit marrin pjesë 38 vende. Vrojtimi statistikor i koordinuar nga Eurostat-i quhet Programi i Krahasimit European – PKE.

PFB-ja dhe PBB-ja në SFB  janë rezultat i një ushtrimi statistikor shumëpalësh. Tipari i tij i veçantë në krahasim me vrojtimet e tjera statistikore është se rezultatet llogariten nga koordinatorët ndërkombëtarë; domathënë, asnjëri nga vendet pjesmarrëse nuk mund t’i prodhojë rezultatet individuale. Tipari i dytë specifik është ndërvartësia e rezultatetve ndërmjet vendeve. Një ndryshim në të dhënat e një vendi nuk ndikon vetëm në rezultatet e këtij vendi por influencongjithashtu, pak a shumë, edhe në rezultatet e vendeve të tjera.

Të dhënat që përdoren

Të dhënat që përdoren për llogaritjen e PFB dhe PBB në SFB sigurohen nga Institutet Kombëtare të Statistikave të vendeve pjesmarrëse. Çdo vit këto Institute duhet të sigurojnë:

  1. Çmimet për më shumë së njëmijë mallra dhe shërbime të ndryshme, të cilat janë zgjedhur të përfaqësojnë të gjithë shportën e shpenzimeve të konsumit të mallrave dhe shërbimeve të PBB.
  2. Produktin e brendshëm bruto në monedhën vendase me shpenzime të detajuara.
  3. Të dhëna të tjera shtesë si, të dhëna për popullsinë, indekset e çmimeve, etj.

Të gjitha vendet pjesëmarëse në programin e krahasimit kryejnë vrojtimet e çmimeve të konsumit në bazë vjetore afërsisht 1/3 e të gjithë mallrave dhe shërbimeve (dy vrojtime çdo vit nga 6 gjithsej). Në një cikël 3-vjeçar mbarojnë gjashtë vrojtimet e çmimeve të konsumit dhe cikli i vrojtimeve rifillon sërisht.

Vrojtimi i për makineritë dhe paisjet kryhet çdo dy vjet. Për vitin që nuk kryhet vrojtim çmimet vlerësohen.

Vrojtimi i çmimeve të ndërtimit kryhet çdo vit.

Të dhëna të tjera shtesë si, Shpenzimet e PBB në monedhën vendase të ndarë sipas grupeve kryesore, pagat sipas profesioneve, indeksi i çmimeve të konsumit, etj sigurohen në bazë vjetore.

Qëllimi kryesor i vrojtimit dhe përdorimi i rezultateve

Qëllimi kryesor i vrojtimit është llogaritja e PFB-së me qëllim konvertimin e PBB-së të vendeve të veçanta, të shprehur në monedha të ndryshme dhe të vlerësuara me nivele çmimesh të ndryshme kombëtare, në një monedhe të njejtë dhe nivel çmimesh të njejta. PBB-ja e konvertuar në këtë mënyrë reflekton vetëm diferencat në volume (sasi dhe cilësi) dhe kjo është e krahasueshme ndërmjet vendeve. PBB në PFB referohet edhe si PBB reale, ndërsa PBB-ja e konvertuar nga kursi i këmbimit valutor referohet si PBB nominale.

Rezultatet e PBB në PFB përdoren për qëllime të ndryshme analitike në statistikë. Komisioni Europian i përdor rezultatet e indekseve të volumit të PBB-së për frymë edhe për qëllime administrative, si kriter për të drejtën e fondeve struktuore në BE.

SFB dhe indekset e derivuara të niveleve të çmimeve përdoren për të ndjekur konvergjencën e çmimeve në vendet anëtare të BE-së.

Kufizimet në përdorimin e rezultateve

Rezultatet mbi PBB në PFB kryesisht janë të destinuara për krahasime midis vendeve përgjatë një viti. Rezultatet mbi PBB për frymë në PFB nuk duhet të përdoren për një renditje në mënyrë strikte, të saktë të vendeve dhe për të përcaktuar shkallën e rritjes së PBB-së midis viteve. Gjithashtu, rezultatet mbi PFB nuk duhet të përdoren për të përcaktuar zhvlerësimin/vlerësimin e monedhës ose ekuilibrin e kursit të këmbimit.

Mbulimi

Secili vend pjesmarrës duhet të grumbullojë një numër të mjaftueshem çmimesh për secilin nga produktet dhe shërbimet e përzgjedhura, në mënyrë që të sigurojë një çmim mesatar të besueshëm për çdo produket dhe shërbim, duke u bazuar në strukturën e tregut të vendit.

Përkufizimet

Patitetet e Fuqisë Blerëse (PFB)

Në përgjithësi, PFB-të janë përcatuar si deflator dhe konvertues monedhe,  të cilët eleminojnë efektet e diferencave në nivelin e çmimeve ndërmjet vendeve. PFB-të kanë dy funksione, funksionin e deflatorit të çmimeve dhe funksionin konvertues të monedhës në disa monedha të përbashkëta. Kur vendet kanë një monedhë të përbashkët, PFB-të kanë vetëm fuksionin e parë, si deflator çmimesh.

Në formën e tyre më të thjeshtë, PFB-të janë çmime relative të mallrave dhe shërbimeve të veçanta të shprehura në monedhat kombëtare të vendeve të ndryshme. Në nivelin e PBB-së, PFB-të janë çmimet relative të agreguara për gjithë gamën e produkteve dhe shërbimeve të PBB-së.

Indeket e Nivelit të Çmimeve (INÇ)

Raporti i PFB-së dhe kursit të këmbimit (shumëzuar me 100) është indeksi i nivelit të çmimeve (INÇ). INÇ për nivelin e PBB-së është tregues i nivelit të përgjithshëm të çmimit.

Standarti i Fuqisë Blerëse (SFB)

Përzgjedhja e monedhës në të cilën janë shprehur rezultatet e PFB-së është konvencionale. Në  Eurostat rezultatet e krahasimit shprehen në “monedhën” e quajtur SFB. SFB-ja është një monedhë artificale, fiktive e cila në nivelin e BE-së është e barabartë më një euro. Aktualisht, 1 SFB është e barabartë me 1 euro në nivelin e BE-28. SFB ose “BE-28 euro” është një “monedhë” e cila reflekton nivelin e çmimit mesatar në BE-28.

PBB-ja në SFB and PBB-ja për frymë në SFB

PBB-ja në SFB është PBB-ja në monedhën kombëtare e konvertuar në një monedhë të përbashkët me PFB-në, e shprehur si një numër i njësive të monedhës kombëtare për 1 SFB. PBB-ja për frymë në SFB është PBB-ja në SFB ndarë për numrin e përgjithshëm të popullsisë të vendit përkatës. Në terma më të përgjithshëm për PBB në SFB janë gjithashtu PBB-ja reale, PBB-ja në PFB ose PBB-ja në fuqinë blerëse.

Indekset e volumit

Indekset e volumit tregojnë PBB në SFB të çdo vendi të caktuar në krahasim me nje bazë krahasimi të zgjedhur. Indekset e volumit shprehen kundrejt BE-së të zgjedhur si bazë, aktualisht mbi BE-28 (BE-28 = 100). PBB- ja në indekset e volumit të PFB tregon nivelin ekonomik të vendit.

Indekset e volumit për frymë

Indekset e volumit për frymë janë një mënyrë e standardizuar për të shprehur rezultatet e PBB-së për frymë në PFB ndërmjet vendeve. Indekset e volumit për frymë tregojnë volumin e PBB- së për frymë në PFB në krahasim me mesataren e një vendi të zgjedhur si bazë, apo të një grupi vendesh. Indekset e volumit përgjithësisht janë të shprehura në raport me mesataren e BE, aktualisht mbi BE-28 (BE-28 = 100). Indekset e volumit për frymë trajtohen si tregues i zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies ekonomike të popullsisë.

Polikika e publikimeve dhe shpërndarja

Eurostat publikon rezultatet mbi PFB dhe PBB në SFB çdo vit. Për të njëjtin vit reference të dy grupet e rezultateve llogariten dhe publikohen rregullisht katër herë:

  1. Parashikimi (projeksioni): 5 muaj pas mbarimit të periudhës referuese
  2. Vlerësimi i parë: 12 muaj pas mbarimit të periudhës referuese
  3. Vlerësimi i dytë: 24 muaj pas mbarimit të periudhës referuese,
  4. Rezultati final: 36 muaj pas mbarimit të periudhës referuese.

Përjashtimisht, në rastin e një rishikimit të madh të llogarive kombëtare, të cilat zakonisht bëhen nga të gjitha vendet, të dy rezultatet (PFB-ja dhe PBB në SFB) mund të rivlësohen më vonë se 36 muaj nga periudha referuese. Përveç kësaj, rezultatet mbi PBB në SFB mund te përditësohen brenda ose jashtë hapësirës kohore të përcaktuar në rastet kur një ose disa vende rivlerësojnë të dhënat e tyre mbi PBB-në në monedhat kombëtare (ose të dhënat mbi popullsinë). Në këto raste PFB-të nuk rillogarriten dhe kështu nuk ndryshojnë.

Të dhënat mbi PFB-të, indekset e nivelit të çmimeve, shpenzimet në monedhën kombëtare, shpenzimet në SFB dhe indekset e volumit në nivelin e 60 kategorive të shpenzimeve analitike të  PBB-së, janë publikuar në bazën e të dhënave të Eurostat-it, tema “Ekonomia dhe financa” (fusha: “Paritetet e Fuqisë Blerëse-PFB). Të dhënat mbi PFB-në, PBB në SFB, indikatorët e volumit dhe të dhënat mbi popullsinë janë publikuar në fushën “Llogaritë Kombëtare (përfshirë PBB-në)”, tema “Llogaritë Kombëtare Vjetore”.

Gjithashtu, Eurostat publikon PFB-në dhe indikatorët që rrjedhin prej saj në publikimin “Statistikat në Fokus” (SIF). Në këtë tip publikimi, pavarësisht nga rezultatet mbi nivelin e PBB-së, janë publikuar rezultatet e niveleve të dy agregateve më të rëndësishëm të PBB-së: konsumi aktual individual dhe shpenzimet finale të konsumit të familjeve.

Shpenzimet e konsumit final të familjeve përfshin shpenzimet e konsumit të familjeve dhe disa produkte dhe shërbimeve që familjet i prodhojnë për përdorim vetjak (renta e imputuar).

Konsumi aktual individual përfshin shpenzimet totale të konsumit të familjeve dhe shpenzimet për ato shërbime të cilat konsumohen nga familjarët individualisht, por janë prodhuar dhe financuar nga qeveria dhe institucionet jo-fitim prurëse (shërbimet arsimore dhe shëndetësore).

Në nivelin e konsumit aktual individual Eurostat publikon dy indikatorë: indekset e volumit dhe indekset e nivelit të çmimeve. Në nivelin e shpenzimeve të konsumit finale të familjeve dhe të një përzgjedhje të kategorive të tij Eurostat publikon indekset e nivelit të çmimeve. Kategoritë e përzgjedhura të shpenzimeve të konsumit finale të publikuar në  SIF janë:

  • Ushqime dhe pije joalkolike;
  • Pije alkoolike dhe duhan;
  • Veshje;
  • Këpucë;
  • Energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera;
  • Orenditë dhe aparaturat, tapetet dhe veshjet e tjera për dyshemenë;
  • Pajisjet shtëpiake;
  • Pajisje audiovizuale, fotografike dhe kompjuterike;
  • Pajisje për transportin personal;
  • Shërbimet e transportit;
  • Komunikacioni;
  • Restorantet dhe hotelet.

Shpjegime të tjera metodologjike

Shpjegime të tjera më të hollësishme metodologjike mund t’i gjen në faqen e Eurostat  në adresën: http://ec.europa.eu/eurostat/web/purchasing-power-parities/methodology