Popullsia e Shqipërisë

Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Kjo vjen, veçanërisht, për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur i cili ka dhënë efektin e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.

Është me rëndësi të dimë se sa banorë jetojnë aktualisht në vend dhe sa do të ketë në të ardhmen, në mënyrë që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve. Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen, për shembull pensionet apo kujdesi shëndetësor.

.

Fig. 1 Lindjet, Vdekjet dhe Migracioni neto

Rënia e popullsisë

Në 1 Janar 2021 popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 2,7 %. Prirja në rënie vazhdon të jetë e pranishme nga vitet e mëparshme. Ky mund të jetë problem sepse mund të ndikojë në rritjen ekonomike, e cila varet nga niveli i konsumit apo investimet. Nëse popullsia zvogëlohet, atëherë do të ketë më pak kërkesa për konsum dhe investime që mund të reflektohen si një rënie ekonomike.

.

.

Rënia e lindjeve

Gjatë periudhës 2011-2020, numri i lindjeve në vit është ulur ndjeshëm: nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 28 mijë në 2020, ndërsa numri i vdekjeve në vit ka mbetur midis 20 mijë dhe 22 mijë për periudhën 2011-2019, por ka shënuar rritje në rreth 28 mijë vdekje në 2020 i ndikuar nga efektet e pandemisë Covid-19.

Zakonisht lindin më shumë meshkuj sesa femra, por meqenëse burrat kanë një vdekshmëri më të lartë, ka më shumë gra të moshuara sesa burra.

 

Gratë lindin më pak

Indeksi Sintetik i Fekonditetit (ISF) është numri mesatar i fëmijëve të lindur të gjallë nga një grua, duke marrë parasysh normat aktuale të fekonditetit. Kjo tregon se sa fëmijë pritet të lindë një grua gjatë jetës së saj. Pranohet gjerësisht që 2,1 fëmijë për grua është niveli i zëvendësimit të nevojshëm për popullsinë e një vendi të caktuar.

Indeksi sintetik i fekonditetit ka rënë: nga viti 2011 kur ishte 1,65 fëmijë për grua, në 1,34 në vitin 2020. Në figurën 2 vërehet evolucioni i këtij treguesi të rëndësishëm dhe prirja e tij.

ISF mund të reflektohet në numrin e popullsisë në dekadat e ardhshme dhe të ketë ndikim, jo vetëm në uljen e popullsisë, por më shumë në efektet që rrjedhin nga ato faktorë, të cilët mund të jenë socialë ose ekonomikë, siç është ulja e fuqisë blerëse, rritja e normës së varësisë moshore, duke vënë në rrezik skemën e pensioneve, etj.

.

Fig. 2 Indeksi Sintetik i Fekonditetit

.

.

Disa nga faktorët socialë që mund të ndikojnë në normat e fekonditetit janë: normat kulturore, niveli i arsimimit, feja, përdorimi i metodave kontraceptive, aborti, ndikimi i migracionit, fëmijët si burim i punës (në fermat familjare), fëmijët si mbështetje për çifte në moshat më të mëdha, kostot e rritjes së fëmijëve, etj.

Fëmijët priten të jetojnë më gjatë

Vdekshmëria foshnjore është vdekja e një fëmije të moshës më pak se një vit. Shkalla e vdekshmërisë foshnjore përcaktohet si numri i vdekjeve të fëmijëve nën një vjeç gjatë një viti, pjesëtuar me numrin e lindjeve të gjalla në atë vit; vlera shprehet për 1.000 lindje të gjalla.

Gjatë këtij 10 vjeçari, vdekshmëria foshnjore ka mbetur midis 8 deri 10 vdekje të moshës nën 1 vjeç për 1.000 lindje të gjalla, por është ulur ndjeshëm: nga 17,4 në 2001 në 10,0 në 2020.

Shqiptarët jetojnë më gjatë se më parë

Sa kohë pritet të jetojë një person? Kjo matet përmes treguesit të jetëgjatësisë.

Kjo mund të shprehet si jetëgjatësia në lindje, duke treguar numrin e viteve që një fëmijë i sapolindur pritet të jetojë.

Në vitin 2020 jetëgjatësia e pritur në lindje u vlerësua 75,2 vjeç për meshkujt dhe  79,6 vjeç për femrat.

.

.

Fig. 3 Jetëgjatësia e pritur në lindje

.

Jetëgjatësia në lindje ka ardhur duke u rritur nga viti 2011 deri në vitin 2019, me femra që kanë prirje për të jetuar më gjatë, ku trendi i meshkujve po rritet më shpejt se ai i femrave, por jetëgjatësia në lindje ka shënuar ulje në vitin 2020, e ndikuar nga rritja e numrit të vdekjeve prej efekteve të pandemisë Covid-19.

Femrat shqiptare të lindura në vitin 2020 pritet të jetojnë 4,4 vjet më shumë sesa meshkujt shqiptarë të lindur në të njëjtin vit.

 

Popullsia në plakje

Mosha medianë e popullsisë shqiptare është rritur, nga afërsisht 33 vjeç në 1 Janar 2011, në afërsisht 38 vjeç në 1 Janar 2021. Mosha medianë e popullsisë është rritur gjithashtu sipas gjinisë: nga 31,3 vjeç për meshkujt dhe 33,9 vjeç për femrat në 2011, në 36,8 dhe 38,6 në 2021.

.

.

Migrimi ka ndikim të madh në popullsi

Popullsia e Shqipërisë filloi të ulet që nga viti 1990, si pasojë e një emigracioni masiv.

Gjatë viteve 2011-2020 vlerësohet se mesatarisht 42 mijë persona emigruan çdo vit dhe 24 mijë njerëz imigruan mesatarisht çdo vit. (Piramida e popullsisë)

Arsyet kryesore për emigracionin kanë të bëjnë me mundësi më të mira për punë, arsim dhe kujdes shëndetësor.

Struktura e popullsisë

Në figurën 4 shikojmë se popullsia e Shqipërisë po plaket. Kjo tregohet nga përqindja që zënë njerëzit mbi 65 vjeç, krahasuar me të rinjtë (nën 15 vjeç) nga viti 2011 deri në 2021 (popullsia më 1 Janar).

Grup-mosha e popullsisë 0-14 vjeç ka rënë nga 21,6 % në vitin 2011 në 16,5 % në 2021.

Grup-mosha e popullsisë 15-64 vjeç ka qëndruar thuajse e njëjtë, duke pësuar një rritje të lehtë, nga 67,4 % në vitin 2011, në 68,2 % në vitin 2021.

Grup-mosha e popullsisë 65+ vjeç është rritur nga 11,0 % në vitin 2011 në 15,2 % në vitin 2021.

.

Fig. 4 Struktura e popullsisë

.

Shpërndarja e popullsisë sipas qarqeve

 

Më 1 Janar 2021 rezulton që rreth një e treta e popullsisë jeton në qarkun e Tiranës – qarku më i populluar në vend, ndjekur nga qarqet e Durrësit dhe Fierit, me rreth 10 % të popullsisë secili.

Qarku i Gjirokastrës ka përqindjen më të ulët të popullsisë, me rreth 2,1 % të popullsisë së përgjithshme, ndjekur nga qarku i Kukësit, i cili ka 2,6 % të popullsisë së përgjithshme.

Vetëm dy qarqe në vend shënuan rritje të popullsisë për periudhat 2020-2021, përkatësisht Tirana dhe Durrësi.

.

Për më shumë informacion klikoni KËTU