SISTEMI KOMBËTAR STATISTIKOR (SKS)

Sistemi Kombëtar Statistikor është tërësia e institucioneve dhe organizatave që ushtrojnë aktivitet brenda Republikës së Shqipërisë, të cilat mbledhin, përpunojnë dhe publikojnë statistika zyrtare sipas Programit pesëvjeçar të Statistikave Zyrtare, dokument i cili miratohet me vendim të veçantë të Kuvendit.

Legjislacioni

Sistemi Kombëtar Statistikor është në fazat fillestare të zhvillimit të tij. Për këtë arsye, INSTAT, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Eurostatit po punon për hartimin e kornizës së plotë ligjore për formalizimin e SKS si institucion dhe mekanizmave të duhura që do të shërbejnë për prodhimin cilësor të statistikave zyrtare, në përputhje me parimet statistikore dhe standardet ndërkombëtare.

Përkufizimi i Sistemit Kombëtar Statistikor përcaktohet në nenin 2/c të Ligjit nr. 9180, datë 05.02.2004 “Për statistikat zyrtare”, i ndryshuar.

Koordinimi i SKS

Mbështetur në nenin 7/1 të ligjit të statistikave zyrtare, Instituti i Statistikave është përgjegjës për koordinimin dhe funksionimin e SKS. Veprimtaria koordinuese përfshin kryesisht bashkëpunimin ndërmjet prodhuesve të statistikave zyrtare për të siguruar planifikimin dhe monitorimin më të mirë të treguesve statistikorë, koherencën ndërmjet veprimtarive të secilit institucion dhe reduktimin e kostove të veprimtarive statistikore.

Gjithashtu, koordinimi për sistemin shërben për të siguruar uniformitetin e metodologjisë statistikore, mbështetjen teknike për të siguruar zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe kontrollin e cilësisë së statistikave të prodhuara.

INSTAT është institucioni përfaqësues i SKS pranë sistemit statistikor evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe për të mbajtur marrëdhëniet me institutet kombëtare të vendeve të tjera.

Aktualisht, prodhuesit e statistikave zyrtare janë INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.