Hartimi i Pyetësorit të Cens 2020

INSTAT, gjatë punës për përgatitjen e Cens-it të Popullsisë dhe Banesave 2020, testoi draft-pyetësorin. Testimi kishte të bënte me çështje metodologjike si zbatimi i definicioneve bazë, kuptueshmëria e përmbajtjes së pyetësorit, evidentimi i pyetjeve të vështira për t’u kuptuar nga intervistuesi dhe i intervistuari, si dhe kohëzgjatja për plotësimin e pyetësorit për një NjEF.

Numri i pyetësorëve që u plotësuan nga punonjësit e INSTAT u organizua si më poshtë vijon:

  • 10 pyetësorë për secilën nga Drejtoritë prodhuese;
  • 5 pyetësorë për secilën nga Drejtoritë e tjera;
  • 10 pyetësorë për secilën nga Zyrat rajonale;

Draft-Pyetësori është ndërtuar konform rekomandimeve ndërkombëtare dhe rregulloreve të Bashkimit Evropian, udhëzimeve të “Recommendations for the 2020 Censuses of Population and Housing of the Conference of European Statisticians” si dhe rekomandimeve të Eurostat-it dhe OKB.

Pyetësori i “Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020” është i ndarë në dy shtylla kryesore: Pyetje të detyrueshme, të cilat kanë një interes të përbashkët dhe janë të nevojshme për krahasime statistikore në nivel ndërkombëtar; dhe Pyetje jo të detyrueshme, të cilat janë opsionale dhe janë të nevojshme në varësi të situatës dhe kërkesave specifike të vendit.

Për hartimin e pyetësorit të Cens-it të Popullsisë dhe Banesave 2020 janë zhvilluar disa takime konsultative me aktorë kombëtar dhe ndërkombëtar.