Konkurs për zgjedhjen e logos së Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020

KONKURS PËR ZGJEDHJEN E LOGOS SË CENSIT TË POPULLSISË DHE BANESAVE 2020

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) shpall hapjen e konkursit për logon e re të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2020.

INSTAT ka planifikuar të kryejë Censin e ardhshëm të Popullsisë dhe Banesave në vitin 2020. Censi i Popullsisë dhe Banesave, që realizohet një herë në 10 vjet, kryen numërimin e popullsisë dhe banesave, duke përdorur metoda të reja për mbledhjen e të dhënave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të luajë një rol vendimtar në përditësimin e informacionit statistikor të nevojshëm urgjent në nivel lokal dhe rajonal, dhe në kuptimin dhe paraqitjen e ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri sa I takon popullsisë dhe banesave.

Censi 2020 konsiderohet si një projekt prioritar kombëtar nga qeveria shqiptare. Është thelbësor për hartimin e politikave të bazuara në dëshmi dhe përcaktimin e qëllimeve socio-ekonomike dhe planeve për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, si dhe për një sistem statistikor të qëndrueshëm dhe efikas, bazuar në një kombinim të të dhënave administrative dhe të anketës (për më shumë detaje, lexo këtu).

Konkursi do të zhvillohet në dy faza:

  • Faza e parë do të zhvillohet nga data 11 mars deri në 15 prill, ku do të pritën të gjitha propozimet e aplikantëve.
  • Faza e dytë do të zhvillohet nga data 16 prill deri në 19 prill ku do të përzgjidhen tre fituesit e çmimit të parë, të dytë dhe të tretë.

Logo-ja fituese do të mbajë autorëzinë e INSTAT.

Të gjitha propozimet konkurruese do të vlerësohen nga një juri profesionistësh.

Shpallja e fituesve do të bëhet në datën 10 prill 2019 në faqen zyrtare të INSTAT në www.instat.gov.al

Fituesi i çmimet it të parë do të vlerësohet me një Laptop.

Fituesit e çmimit të dytë dhe të tretë do të vlerësohen secili me një tabletë.

Kush mund të aplikojë?

Në konkursin për përzgjedhjen e logos së Cens 2020 mund të marrin pjesë:

  • Të gjithë studentët e interesuar të Akademisë së Arteve të Bukura
  • Të gjithë studentët e interesuar të Arkitekturë Interieri dhe Dizajn në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës
  • Studentë të tjerë

Kriteret dhe udhëzimet që kërkohen:

  • Logo duhet të jetë unike dhe bashkëkohore;
  • Të përcjellë vlerat, vizionin dhe misionin e Censit të Popullsisë dhe Banesave;
  • Të përçojë një mesazh të qartë;
  • Të jetë e dallueshme dhe e lehtë për t’u mbajtur mend;
  • Çdo person që paraqet një logo duhet të firmosë një deklaratë që vërteton se logoja e tij/saj nuk shkel të drejtat një pale të tretë dhe nuk dhunon të drejtën e autorësisë së pale tjetër.

Specifikime Teknike të logos:

  • Logoja të jetë me ngjyra;
  • Formatet në të cilat duhet të dorëzohet logo: Jpeg; Pdf; Png; Ai; Eps; Tiff

 

Logoja duhet të jetë e aplikueshme edhe në:

  • Kartvizita
  • Billboard dhe citylight-e
  • Poster
  • Bllok shënimesh
  • Stilolaps/Lapës
  • Formularë/Shkresa

Aplikantët e interesuar duhet të dorëzojnë propozimet e tyre në adresën info@instat.gov.al ose të dorëzojnë CD apo flash në adresën e INSTAT në Rrugën Vllazën Huta, Ndërtesa 35, Hyrja 1, Tiranë.