Konferenca Ndërkombëtare mbi Sfidat e Migracionit | Instat

Konferenca Ndërkombëtare mbi Sfidat e Migracionit

16 Mar 2018 - 16 Mar 2018
Pallati i Kongreseve, Salla e Konferencës A

Instituti i Statistikave (INSTAT) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe me mbështetjen e GIZ Shqipëri, organizoi ditën e premte, Konferencën Ndërkombëtare me titull “Sfidat e Migracionit”. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ambasadorja Gjermane në Shqipëri,  Znj. Susanne Schütz, si edhe Presidenti i Zyrës Kombëtare Statistikore të Polonisë, Z. Dominik Rozkrut.

Në këtë kuadër, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Znj. Delina Ibrahimaj, deklaroi se çdo vit në vendin tonë kthehen 25 mijë emigrantë nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë larguar nga Shqipëria gjatë 27 viteve të kaluara.

“Sipas të dhënave të INSTAT, rezulton që në Shqipëri mesatarisht në vit kthehen 25 mijë emigrante nga vende të ndryshme. Sigurisht dhe dinamika e të kthyerëve nuk është e njëjtë, pra shumë prej tyre kthehen për të investuar në vendin e tyre të origjinës, shumë nuk gjejnë hapësira dhe nuk integrohen në tregun e punës, atje ku kanë emigruar, etj.”, deklaroi Znj. Ibrahimaj.

“Sfidat e Migracionit” e ka trajtuar çështjen edhe në këndvështrime të tjera. Sipas Znj. Ibrahimaj, faktori financiar është një prej dukurive pozitive të migracionit. “Një nga avantazhet që sjell migracioni janë paratë e dërguara nga emigrantët në vendin e origjinës. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 5 viteve të fundit të ardhurat nga emigrantët, apo siç quhen ndryshe ‘remitancat’, janë mesatarisht 618 milionë euro në vit dhe këto janë para të injektuara në ekonomi duke krijuar biznese të reja, strehim për familjet, ndihmë për të varfërit, asistencë për prindërit apo të moshuarit”, tha Znj. Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, në fjalën e tij në konferencë e trajtoi çështjen në aspektin historik.

“Sa herë flitet për emigracionin, debati spostohet në terrenin e hiperbolave dhe të arsyeve për konflikt apo për dëshpërim. Ndërkohë, që është një fenomen historik, mbi të cilin ka shumë e shumë për të analizuar, studiuar, reflektuar dhe mbi të gjitha, i cili nuk përbën asgjë të veçantë për Shqipërinë në një fazë historike që ka përcaktuar lëvizjen e lirë si një risi dhe domosdoshmëri të munguar për shumë vite për shqiptarët. Kjo konferencë ka vlerën se i referohet fakteve dhe shifrave të vërteta duke ndërtuar një diskutim që synon të jetë i ftohtë dhe analitik, larg politizimit apo shpërdorimit për efekte të caktuara të një temë kaq komplekse dhe kaq interesante sa ç’është tema e emigracionit. Për më tepër ky debat në Shqipëri zhvillohet në kushtet kur Shqipëria, por dhe vende të tjera nuk janë pjesë e tregut të forcave të lira të punës siç janë vende të tjera të BE-së. Dhe në këtë kontekst duket sikur janë vetëm shqiptarët apo banorët e vendeve të tjera të rajonit që largohen dhe lëvizin drejt rajoneve më të pasura e të zhvilluara. Mirëpo, kjo është larg së vërtetës”, deklaroi kryeministri.

Në vazhdim, paneli i eksperteve, ku merrnin pjesë Znj. Anila Trimi - Sekretar i Përgjithshëm, Ministria e Brendshme, Znj. Dajna Sorensen - Zv. Ministre, Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Znj. Alma Jani - Drejtuese e Zyrës së IOM, Znj. Katja Röckel - Drejtuese e Programit ProSEED, GIZ, Z. Dominik Rozkrut - President i Zyrës Kombëtare Statistikore të Polonisë, Znj. Bardhylka Kospiri - Zv. Ministre, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Z. Florenc Qosja - Koordinator Kombëtar për migrimin, Programi Global i Migrimit për Zhvillim, DIMAK Albania, Z. Genci Pjetri - Specialist i Politikave të Migracionit, IOM dhe Z. Eno Ngjela – Zyrtar Programi UNDP, vazhdoi diskutimet mbi sfidat e migracionit duke trajtuar këtë çështje në këndvështimet e të gjitha sektoreve ekonomik dhe aspekteve sociale, me të cilat përballet sot Shqipëria.