Rreth Nesh

Shërbimi statistikor në Republikën e Shqipërisë realizohet nga:


  • Instituti i Statistikave (INSTAT);
  • Drejtoritë rajonale të statistikave në varësi të INSTAT-it;
  • Agjencitë Statistikore të ngarkuara me ligj për prodhimin e statistikave zyrtare;
  • Departamentet e statistikave në ministri dhe institucione të tjera qendrore;
  • Persona juridikë e fizikë

Para krijimit të shtetit shqiptar më 1912 shërbimi statistikor nuk ekzistonte.
Në vitin 1924 për herë të parë u krijua një zyrë statistikore që mbante evidenca të ndryshme ekonomike pranë Ministrisë së Botorës (mirëmbajtjes së rrugëve) dhe Bujqësisë. Veprimtaria e kësaj zyre kufizohej në inventaret bujqësore që përfshinin numrin e bujqëve dhe llojin dhe sasinë e shfrytëzimit të tokës me bimë bujqësore e blegtorale, si dhe në disa statistika të cekta mbi industrinë, tregtinë, eksport-importet dhe çmimet. Për herë të parë shërbimi statistikor në Shqipëri është institucionalizuar me Dekretin nr. 121, dt. 8/04/1940.

Sistemi statistikor në shtetin shqiptar është themeluar me Vendimin nr. 35, dt. 13/01/1945 me krijimin e Drejtorisë së Statistikës të atashuar pranë Këshillit të Ministrave. Më vonë kjo drejtori kaloi nën varësinë e Komisionit të Planit të Shtetit.

Sot, në zbatim të ligjit nr.9180, datë 05.02.2004 "Për statistikat zyrtare, ky sistem përbëhet nga një numër institucionesh të ngarkuar për prodhimin e statistikave zyrtare dhe institucione të tjera, publike ose jo, të cilët nxjerrin statistika të fushave të ndryshme për monitorimin apo zbatimin e politikave të veta zhvilluese. Sistemi Kombëtar Statistikor e ushtron aktivitetin në përputhje me ligjin e lartpërmendur dhe Programin shumëvjeçar të Statistikave i cili miratohet me vendim të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë. Përgjegjës për zbatimin e Programit dhe monitorimin e Sistemit Statistikor është Instituti i Statistikave (INSTAT) si institucioni kryesor prodhues i statistikave zyrtare.