Marrëveshje bashkëpunimi midis INSTAT dhe Fakultetit të Ekonomisë

02  Maj 2017

 

Instituti i Statistikave dhe Fakulteti i Ekonomisë nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi. Znj. Delina Ibrahimaj, Drejtori i Përgjithshë i INSTAT u shpreh se kjo marrëveshje do të jetë një hap cilësor në bashkëpunimin më të ngushtë në të ardhmen me këtë fakultet, duke synuar përmirësimin e sistemit statistikor në Shqipëri dhe transmetim të dijeve mbi statistikat përmes mësimdhënies, veprimtarive njohëse e promovuese dhe shërbimeve nga institucionet e arsimit të lartë. 

Kjo marrëveshje, do të synojë përmirësimin dhe pasurimin e përmbajtjes së programeve të studimit me koncepte dhe analiza të hartimit, zbatimit e monitorimit të sistemit statistikor në Shqipëri si dhe planifikimin dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Është e domosdoshme, që institucionet e arsimit, të mundësojnë njohjen e kuptimin sa më të mirë të statistikave duke kontribuar në edukimin e publikut në këtë fushën.

INSTAT, nga ana e tij, do të krijojë hapësira organizative për vënien në dispozicion të pedagogëve të Departamentit Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar, të Departamentit të Ekonomiksit në Fakultetin e Ekonomisë si dhe studentëve të ciklit të dytë e të tretë të këtij Fakulteti, me materiale të ndryshme burimore si analiza, metodologji, dokumente e të dhëna për treguesit socio-ekonomik duke respektuar parimin e konfidencialitetit dhe politikave të aksesit mbi të dhënat mikro të INSTAT.

Gjithashtu, INSTAT do të mundësojë krijimin e hapësirave institucionale për zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve të Departamentit Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar si dhe të Departamentit të Ekonomiksit në Fakultetin e Ekonomisë.

INSTAT, si prodhues kryesor i statistikave zyrtare në vend, ka marrë angazhimin të jetë promotor i kërkimit shkencor dhe kjo do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e botës akademike.

 

Fotografi nga Aktiviteti