Leksion i hapur – Rëndësia e statistikave në Shqipëri

 

Me 28 shkurt 2017, u mbajt pranë Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" një Leksion i Hapur me temë "Statistika si instrument matës dhe mbështetës për zhvillimin ekonomiko-social dhe programimin shëndetësor në Shqipëri" me pjesmarrjen e Drejtoreshës së INSTAT Znj. Delina IBRAHIMAJ. 
Moderator:   Z. Ervin Bushati - Deputet i Parlamentit Shqipëtar. 
Relacionet:  Znj. Delina IBRAHIMAJ - Drejtoreshë e INSTAT; 
                   Prof. Giovanni Vannella - Docent i Statistikës pranë UNIKZKM; 
                   Prof. Najada Firza - Docente e Statistikës pranë UNIKZKM

 

"Statistika si instrument matës dhe mbështetës për zhvillimin ekonomiko-social dhe programimin shëndetësor në Shqipëri". Kjo është tema e një Leksioni të Hapur që u mbajt pranë Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë". Leksioni pati për qëllim të njohë studentët e Fakultetit të Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale dhe jo vetëm, me panoramë më të gjerë për rëndësinë që ka aplikimi i statistikave në programimin shëndetësor, ekonomik dhe social të një vendi. 
Z. Ervin Bushati, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht moderator i këtij aktiviteti e vuri theksin tek rëndësia që ka krahasimi i të dhënave statistikore në përmirësimin e jetës sociale dhe politike të një vendi. 
Ai u ndal edhe tek besueshmëria e statistikave në nivel global, në një kohë kur sulmet mbi të dhënat statistikore sa vijnë dhe bëhen më të shpeshta. Në këtë kontekst, Z. Bushati sugjeroi për studentët e Fakultetit të Ekonomisë që për të dalë në përfundime duhet të konsultohen në vetë të parë me të gjitha të dhënat statistikore.
E ftuara në Leksionin e Hapur, Drejtoresha e Institutit të Statistikave Znj. Delina Ibrahimaj bëri një paraqitje të detajuar lidhur me strukturën e sistemit të Statistikave në Shqipëri. Një sistem ky i bazuar në metodologjinë standarte të Eurostat dhe institucioneve ndërkombëtare. Drejtoresha e INSTAT u ndal në shpjegimin e koncepteve kryesore, burimet e informacionit, aksesi tek të dhënat statistikore. Gjithashtu shpjegoi me detaje mënyrën e përpunimit të të dhënave dhe mundësinë e të interesuarve për të aksesuar të dhënat e publikuara nga INSTAT.
Docenti i Statistikës në UNIKZKM, Prof. Giovanni Vannella trajtoi në fjalën e tij rëndësinë që kanë të dhënat statistikore në tregun e punës. Konkresisht, ai foli mbi influencën e statistikave në aktivitetin e ndërmarrjeve në Itali.
Ndërsa Prof. Najada Firza, Docente e Statistikës pranë UNIKZKM parashtroi për studentët e pranishëm në takim disa prej përfitimeve që ka zotërimi i të dhënave statistikore në fusha të ndryshme.
Këtë Leksion të Hapur e ndoqi nga afër Rektori i Universitetit, Prof. Bruno Giardina dhe një pjesë e stafit akademik dhe administrativ i Universitetit Katolik Zoja e Këshillit të Mire.

Fotografi nga Aktiviteti


Prezantime