Femra dhe Meshkuj në Shqipëri 2013

 

INSTAT sot do të prezantojë botimin Femra dhe Meshkuj në Shqipëri, i cili do të na japë një panoramë më qartë mbi kontributin dhe përfshirjen e femrave dhe meshkujve në aktivitetet e ndryshme sociale, ekonomike e politike.

 

Kësaj radhe publikimi ka të dhëna më të plota mbi statistikat gjinore dhe ndër të tjera është punuar bashkarisht me mbështjen e partnerëve suedezë të cilët gjej rastin ti falenderoj.

 

Botimi Femra dhe Meshkuj në Shqipëri, kësaj here vjen me disa risi nga statistikat gjinore, ku përveç fushave që janë mbuluar dhe me parë si popullsia, lindjet dhe vdekjet, martesat dhe divorcet, arsimi etj,  kësaj rradhe janë përfshirë edhe statistika të tjera që kanë dalë nga anketat e ndryshme që ka zhvilluar INSTAT, siç janë të dhënat nga "Anketa e Përdorimit të Kohës", "Anketa e Dhunës në familje" dhe "Anketa e Matjes së Nivelit të Jeteses". Këto janë tre kapituj të rinj që nuk kanë qënë në publikimet e viteve të mëparshme.

 

Gjithashtu, ndryshe nga herët e tjera botimi është më i plotë në kapitujt për barazine gjinore si konkretisht për "Femrat në vendimmarrje" ku tregohet përbërja e Parlamentit që nga viti 1920,  apo dhe kapitulli i  'Punësimit" i cili vjen me statistika të reja nga kjo fushë.

 

Dua të theksoj, që një tjetër risi që kemi në këtë botim është ndryshimi i formatit të publikimit duke iu përshtatur standardeve europiane për t'i ardhur më pranë lexuesit në mënyrë më të kuptueshme e më të thjeshtë.

 

Objektivi kryesor i politikave për barazinë gjinore është që femrat dhe meshkujt të kenë të njëjtën fuqi dhe mundësi për t'i dhënë formë shoqërisë dhe jetës së tyre. Për të arritur këtë objektiv kërkohet njohuri për situatën e femrave dhe meshkujve në shoqëri. Ky publikim, synon të orientojë politik-bërësit drejt vendimarrjeve të duhura mbi këto politika, duke i dhënë në duar një instrument më shumë.

 

Aktualisht, ky publikim përfshin vetëm të dhëna nga anketat sociale, por shumë shpejt ai do të përditësohet dhe çdo vit do të përfshijë edhe të dhëna ekonomike e bujqësore. Zgjerimi i fushave të përfshira në këtë publikim do të bëjë të mundur që panorama mbi statistikat gjinore të jetë edhe më e plotë.

 

Dua të falenderoj të gjithë pjesmarrësit në këtë workshop, veçanërisht partnerët suedezë të cilët kanë financuar dhe kontribuar për nxjerrjen e këtij botimi si dhe stafin e INSTAT për punën e tyre.

 

Fotografi nga Aktiviteti


Dokumenta nga Aktiviteti